Flying Angel Heart

8.07.2013

Mjekësia: Zbulohet teknika që kthen të vdekurit në jetë?

 

 

Së shpejti do të mund të kthejmë në jetë të vdekurit, thotë specialisti i zemrës, që pretendon se mund të kishte shpëtuar jetën e protagonistit të serialit “Soprano”, James Gandolfini.

“Teknikat moderne dhe përparimi i shpejtë i mjekësisë mund të bëjnë të mundur që një pacient të rikthehet në jetë brenda 24 orëve pasi ka ndaluar së marri frymë”, thotë dr. Sam Parnia.

Mjeku amerikan i shëndetit kritik, i cili është trajnuar në Londër, tha: “Është thjesht çështje kohe kur mjekësia do të shpëtojë njerëzit prej kthetrave të vdekjes, brenda pak orëve ose më gjatë dhe bëhet fjalë për vdekje të vërtetë, jo klinike.”

Dr. Sam Parnia beson verbërisht në përparimet e fushës së mjekësisë dhe me shumë bujë ka bërë të ditur se mund t’i kthejë njerëzit në jetë brenda 24 orëve pasi kanë vdekur. Ai madje thotë se mund të kishte shpëtuar edhe jetën e aktorit protagonist në serialin “Soprano”, James Gandolfini.

Dr. Parnia pretendon se aktori që vdiq në moshën 51-vjeçare në Romë, muajin e shkuar, mund të kishte mbijetuar nëse do ta kishte përjetuar këtë sulm masiv të zemrës në Nju Jork.

“Unë besoj se nëse ai do të vdiste këtu (në Nju Jork), do të ishte akoma gjallë. Ne mund t’ia kishim ftohur trupin dhe mund t’i pomponim oksigjen në inde, gjë që i mbron ato nga vdekja”, tha dr. Parnia për revistën gjermane “Der Spiegel”.

Pasi të kishte vdekur klinikisht, për aktorin mund të ishin kujdesur kardiologët. Ata mund t’i bënin një angiogram, të gjenin mpiksjen, ta hiqnin atë, t’i vinin një tub prej rrjete, që do të parandalonte tkurrjen e arterieve dhe më pas t’ia sillnin zemrën përsëri në punë, citon balkanweb.

Dr. Parnia, i cili ka botuar kohët e fundit një libër të titulluar “Fshirja e vdekjes”, tha se vdekja mund të shmanget për shumë pacientë, nëse këta janë në vendin e duhur dhe marrin trajtimin më të specializuar.

“Sigurisht që ne nuk mund të shpëtojmë këdo, pasi shumë prej njerëzve që vuajnë nga ataku në zemër kanë edhe probleme të tjera madhore”, tha ai.

“Por nëse të gjitha teknologjitë dhe trajtimet më të fundit mjekësore do të viheshin në përdorim, gjë që nuk është bërë deri më tani, atëherë në teori, të vetmit njerëz që duhet të vdesin dhe të mbeten të vdekur, janë ata me probleme që nuk mund të trajtohen.”

Ataku në zemër është i trajtueshëm. Po ashtu edhe humbja e gjakut. Kanceri në gjendje përfundimtare nuk mund të kurohet, as shumë prej infeksioneve me patogjenë multirezistentë.

Në rastet e mësipërme, nëse mjekët do të përpiqeshin të sillnin përsëri në jetë zemrën e një pacienti me kancer terminal apo me infeksione me patogjenë multirezistent, ajo do të pushonte përsëri e përsëri.

Mesazhi përfundimtar i dr. Sam Parnia është se vdekja që përjetojmë sot në vitin 2013, është një vdekje që mund të parandalohet.

Doktori revolucionar që jep këtë lajm të gëzuar për njerëzimin është kreu i kujdesit intensiv në spitalin universitar “Stony Brook” në Nju Jork.

Vetë rastet e hasura në këtë spital tregojnë se teoria që parashtrohet nuk është e pamundur. Në spitalet e SHBA-së norma mesatare e ringjalljes së pacientëve që pësojnë arrest kardiak është 18 për qind. Po ashtu, në Britaninë e Madhe kjo shifër është në 16 për qind të pacientëve.

Në spitalin universitar “Stony Brook” në Nju Jork, kjo shifër është 33 për qind për vitin që kaloi dhe 38 për qind për gjysmën e vitit 2013.

Dr. Parnia tha se studimi i tij mbi ringjalljen mjekësore po rezulton i suksesshëm dhe se shumë shpejt vdekja mund të parandalohet te njerëzit me kushte të caktuara shëndetësore.

“Shumica, por jo të gjithë pacientët tanë, ia dalin nga teknika e përdorur pa dëme neurologjike”, tha ai. Dr. Sam Parnia shtoi se ekziston një keqkuptim, edhe mes doktorëve, se truri fillon të vuajë dëmtim masiv pas mungesës së oksigjenit për tre deri në pesë minuta pas ndalimit të zemrës.

Që prej dekadës së shkuar është parë zhvillim i madh. Me ilaçet e sotme, njerëzit mund të rikthehen në jetë për një ose dy orë, ndonjëherë edhe për pak më gjatë, pasi zemra e tyre ka ndaluar së rrahuri dhe kur ata kanë vdekur prej dështimit të qarkullimit të gjakut.

E ardhmja do të jetë më e mirë për metodat e parandalimit të vdekjes. Teknika që përdoret prej doktorit revolucionar nuk është kryogjeniksi ose ndryshe ngrirja e menjëhershme e trupit pas vdekjes, por ftohja e tij në masën që mbron qelizat e trurit dhe ruan nivelin e oksigjenit në gjak.

Kjo teknikë jep kohë për rregullimin e problemit kritik dhe për rifillimin e punës nga zemra. Doktori këshillon që nëse dikush shembet prej një ataku në zemër, të pranishmit të lajmërojnë ambulancën dhe menjëherë pas kësaj t’i vendosin trupit qese të ngrira, pasi ndihmon në mbrojtjen e trurit.

ndahe me miqët

0 σχόλια:

Post a Comment