Flying Angel Heart

2.05.2015

Brezit të dytë të emigrantëve do t’i jepet nënshtetësi greke



A.Cipras

Kryeministri i sapozgjedhur premton dhe të drejtë vote për zgjedhjet lokale

Nënshtetësia – Në fillim, besojmë se duhet të jepet nënshtetësia greke te fëmijët që lindin në territorin grek. Së dyti, të njihet te nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme në Greqi, statusi i banorit me afat të gjatë qëndrimi
Vota – Do të duhet të ndihmohet pjesëmarrja aktive në shoqërinë vendase, si dhe marrja e përgjegjësisë në vendin ku secili banon. Për këtë arsye kërkojmë të drejtë vote në zgjedhjet lokale për cilindo emigrant që banon më tepër se 5 vjet në Greqi
Për Shqipërinë – “Besoj se bashkatdhetarët tuaj janë ata që fuqizuan ekonominë greke në shumë mënyra. Ekzistenca e emigrantëve në Greqi, ndihmon dhe Shqipërinë nëse kemi parasysh dërgesat e parave, investimet si dhe, nga ana tjetër, numrin e lartë të firmave greke në atdheun tuaj”
Cipras (2)Kryeministri grek, Aleksis Cipras, në një intervistë dhënë për Plus Gazeta e Athinës premton për dhënien e nënshtetësisë së fëmijëve të emigrantëve, duke bërë të ditur se ata që jetojnë prej 5 vitesh në shtetin fqinj, do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale.
Problemi
Zgjidhja e ilegalitetit të emigrantëve është një nga problemet kryesore të Greqisë, e që për Kryeministrin 40-vjeçar duhet të marrë zgjidhje. “Problemi i madh për të cilin shoqëria greke duhet të marrë përsipër përgjegjësinë politike dhe nismën për ta zgjidhur atë, është statusi i ilegalitetit në të cilin ndodhen fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi, dhe mësojnë në shkollat greke. Këta fëmijë janë të njohur si emigrantë të brezit të dytë, megjithëse nuk kanë emigruar kurrë, por kanë lindur në atdheun tonë, dhe ndërkaq janë në errësirë, sepse, sipas juridiksionit për çështjet e shtetësisë, nuk lejohet regjistrimi i tyre në gjendjet civile, si dhe lëshimi i certifikatave. Akti i vërtetimit të lindjes të fëmijës në Greqi, e vetmja gjë që bën është të tregojë vendlindjen e ekzistencës të tyre biologjike, pa u përfshirë këtu të drejta themelore. Po të mendojë dikush, që për shumë fëmijë, shteti ku kanë lindur prindërit e tyre që të lëshojë pasaportë për fëmijët kërkon lindjen e fëmijëve në territorin e tij, kuptojmë se në çfarë udhëkryqi ndodhemi. Në thelb, këta fëmijë nuk ekzistojnë as për shtetin e prindërve të tyre, as për Greqinë, kështu që mbeten persona pa shtetësi. I tillë është edhe rasti i Katintza nga Sierra Leone, me të cilën shkuam së bashku në mbrëmjen e Presidentit të Republikës. Nga ana tjetër, ka fëmijë që, edhe pse kanë lindur dhe janë rritur në Greqi, mbeten të paligjshëm, pasi bëhen 18 vjeç, sepse fati i tyre, deri më atëherë, varet nga ai i prindërve të tyre. Por kjo çështje do të zgjidhet tani me një proces special, edhe pse besoj se duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo selektive”, thekson Cipras.
Nënshtetësia
Premtimi kryesor i Syrizës është dhënia e nënshtetësisë për fëmijët që lindin në Greqi, si dhe për ata që mbarojnë shkollën e mesme. “Në fillim, besojmë se duhet të jepet nënshtetësia greke tek fëmijët që lindin në territorin grek. Së dyti, të njihet tek nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme në Greqi, statusi i banorit me afat të gjatë qëndrimi, pavarësisht nëse prindërit e tyre janë të ligjshëm apo të “paligjshëm”, sepse koordinimet e deritanishme lejojnë lëshimin e lejes së qëndrimit të fëmijëve, nga leja përkatëse që kanë prindërit. Në cilindo rast duhet të lehtësohen procedurat dhe të mos jenë shumë të izoluar akoma dhe nga statusi i banorit me leje afatgjatë qëndrimi”, – shprehet kryeministri grek Cipras. Më tej, në intervistën e tij, ai thekson se shteti grek nuk duhet t’i shohë emigrantët si problem, por që ata kanë probleme”. “Qëndrimi ynë i palëvizshëm, bazohet në principin se asnjë emigrant nuk është i paligjshëm. Emigrantët nuk janë problem, por përkundrazi, kanë probleme. Me këtë këndvështrim besojmë se mënyra me të cilën merren vendime për emigracionin në kuadrin e Bashkimit Europian, nuk duhet të na udhëheqë në një izolim të mëtejshëm të kontinentit europian dhe në një Europë-Kështjellë, në një përzgjedhje selektive të emigrantëve, por duhet që të gjithë emigrantët të konsiderohen të ligjshëm. Në një shkallë tjetër, besojmë se emigranti duhet të shijojë disa të drejta shoqërore (siç është e drejta për të pasur punësim të siguruar dhe mëditje të denja, të drejtën e mësimdhënies dhe të mësimit të gjuhës amtare, të drejtën e shërbimit shëndetësor etj). Paralelisht, do të duhet të ndihmohet pjesëmarrja aktive në shoqërinë vendase, si dhe marrja e përgjegjësisë në vendin ku secili banon. Për këtë arsye, kërkojmë të drejtë vote në zgjedhjet lokale për cilindo emigrant që banon më tepër se 5 vjet në Greqi”, shprehet Cipras. I sapozgjedhuri në krye të ekzekutivit grek jep mendim dhe për shqiptarët që jetojnë e punojnë në shtetin helen, duke shtuar se ndihmuan në rimëkëmbjen e Greqisë.
“Nuk kam ndonjë mendim të veçantë për emigrantët shqiptarë. Nuk duhet të diskriminojmë emigrantët dhe t’i vlerësojmë sipas vendit të prejardhjes së tyre. Nuk ekzistojnë emigrantë të mirë dhe emigrantë të këqij. Kudo ekzistojnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Por meqenëse po këmbëngulni t’ju them një mendim, besoj se bashkatdhetarët tuaj janë ata që fuqizuan ekonominë greke në shumë mënyra. Ndërkaq, ekzistenca e emigrantëve në Greqi, ndihmon dhe Shqipërinë nëse kemi parasysh dërgesat e parave, investimet si dhe nga ana tjetër, numrin e lartë të firmave greke në atdheun tuaj!

ndahe me miqët

0 σχόλια:

Post a Comment