Flying Angel Heart

1.18.2014

Larje hesapesh ekzekutohet Hasan Talja

Ekzekutohet Hasan Talja. Policia: Larje hesapesh të vjetra mes shfrytëzuesve të minierës në Bulqizë

Vëllai i viktimës është arrestuar në vitin 2013, duke transportuar 300 kilogramë dinamit

Policia dyshon se eksplozivi do të përdorej për shpërthimet në zonën D të minierës në Bulqizë

Sokol Çobo

VENDNGJARJENjë tjetër ngjarje kriminale regjistrohet në vend, në këtë valë kriminaliteti që ka mbërthyer gjithë vendin në fillim të këtij viti. Pas ngjarjeve në Durrës, Korçë, Fier etj., radha i vjen edhe kryeqytetit, ku një 42-vjeçar është ekzekutuar në pragun e shtëpisë, në afërsi të Qytetit Studenti. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 21:00, ku Hasan Talja, 42 vjeç, ka marrë disa plumba nga autorë ende të paidentifikuar. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku pas rreth një ore, mjekët pohuan se Talja ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit. Burime nga Policia e Tiranës thanë mbrëmë, se një nga pistat kryesore të hetimit është edhe larja e hesapeve të vjetra të viktimës me disa bashkëqytetarë. Hasan Talja ishte me origjinë nga Bulqiza, ndërsa kohët e fundit jetonte në Tiranë. Hetuesit kanë dyshime se në vendlindje, Talja ka pasur konflikte të mëdha për shfrytëzimin e kromit me disa persona të tjerë.

Konfliktet për kromin

Megjithëse viktima nuk kishte asnjë precedent kriminal, hetuesit pohojnë se pista kryesore e kësaj ngjarjeje, është larja e hesapeve mes grupeve që shfrytëzojnë kromin në Bulqizë. “Kemi dyshime se Hasan Talja ka pasur konflikte të mëdha në Bulqizë. Kohë më parë, ai ka pasur një biznes për shfrytëzimin e kromit, ndërsa pretendonte edhe shfrytëzimin e një galerie. Por, për të njëjtën galeri, disa persona të tjerë pretendonin shfrytëzimin dhe pas debateve të vazhdueshme, mes grupeve ka filluar edhe konflikti. Ka dyshime se grupet kanë kryer ngjarje kriminale, për të frikësuar njëri-tjetrin. Më pas, ngjarjet janë vlerësuar më të rënda, deri edhe në eliminime fizike të kundërshtarëve”, pohojnë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, hetuesit kanë marrë nga Policia e Bulqizës të gjitha konfliktet e këtyre grupeve, në përpjekje për të mësuar më shumë rreth kundërshtarëve të viktimës së mbrëmshme, të cilët janë të gjithë persona të përfshirë në shfrytëzimin e kromit në Bulqizë. Pas vrasjes, në komisariat janë shoqëruar dhjetëra persona që kanë dijeni për konfliktet apo vrasjen.

I vëllai

Për të përforcuar pistën e konflikteve për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë, policia thotë se vëllai i viktimës së mbrëmshme është arrestuar me rreth 300 kilogramë dinamit. Sabah Talja, 37 vjeç, u arrestuar në muajin korrik të vitit 2013 në Bulqizë, me një sasi të konsiderueshme lëndë eksplozive në makinë. Policia ka gjetur në makinën e tij dinamitin, që dyshohet se do të përdorej për shpërthimet në zonën D të minierës së Bulqizës. Talja e transportonte dinamitin pa leje dhe pa fletë shoqërimi, me makinën tip “Benz” me targa të Tiranës 4304 S.

0 σχόλια:

Post a Comment