Flying Angel Heart

6.08.2014

Mimoza Llastica


Ah, çfarë llastice ka qënë ajo Mimoza! Ju nuk e keni njohur atëherë, por po ta njihnit, do ta merrnit inat.
Sa herë që zbriste shkallët e pallatit dhe na gjente duke luajtur në oborr, kërkonte të hynte patjetër në lojë.
- Moj Moza, ik mos na e prish lojën! - i bërtiste Sava.
Po ku pyeste Moza! Ne luanim me litar, ajo hidhej pa rradhë. Ne luanim luftash, ajo e merrte topin dhe vinte përqark pallatit. Ne luanim kukamçeftas, ajo kallëzonte se ku ishim fshehur.
Kishim rënë ne hall të madh.
-Rri moj Moza sa të mbarojë loja dhe pastaj luaj edhe ti!
Moza zbardhte dhëmbet dhe ikte me vrap.
-Shiko, - i thoshte Sava, që zemërohej kollaj, - po të zura, e zeza ti!
-Posi! - ia kthente Moza duke qëndruar larg. - Pa provoje njëherë!
Sava kafshonte buzën e poshtme dhe turrej ta kapte. Moza ikte me vrap, ngjiste shkallët e jashtme të pallatit dhe thërriste si me të qarë :
- Mami, olele, mami!
Dhe sapo Sava bëhej gati t'i hiqte ndonjë të mirë apo ta tërhiqte për flokësh, dilte në dritare koka e mamit të Mozës:
-U, ç'bën ashtu, moj Sava? Me Mozën merresh ti? Po ajo është e vogël!
Po më shpesh në dritare dilte koka e gjyshes, që i mbante flokët lidhur prapa.
-T'i këput veshët, dëgjove? S'ke turp! ... Ik tutje ...
Sava ishte aq e nxehur, sa lotët e pengonin të fliste. Atëherë flisnim ne:
-Nuk e ka fajin Sava, fajin e ka Moza... Moza na prish lojën.
-Hë, se nuk u bë qameti! E vogel është Moza, -ua kthente gjyshja dhe e merrte Mozën përdore dhe e fuste brënda. Ajo nuk rrinte fëre të na dëgjonte që t'i tregonim fajin e Mozës.
Po Moza nuk ishte e vogël. Ajo ishte sa ne, biles nga shtati ua kalonte disave prej nesh, por ajo ishte llasticë e madhe. Veç ta shikoje!
Dhe vërtetë, ta shikoje, ishte e bukur, e pastër, si ato kukullat e mëdha qe i vënë në vitrinat e dyqaneve. Rrinte e veshur shumë mirë, gjithnjë me rroba të reja.
E pse të mos mbahej ashtu? Ajo ishte vajze e vetme! Për Mozën kujdeseshin të gjithë njerëzit e shtëpisë: babi, mami, gjyshja, dhe gjyshi. Në shtëpinë e Mozës degjohet vetëm emri i saj.
Ju nuk i keni parë ndonjëherë lodrat e Mozës; të gjitha lodrat e pazarit ia kanë blerë dhe ia kane prurë në shtëpi: kukulla lloj-lloj, topa të vegjël e të mëdhenj, kuti me qëndisma, enë guzhine... Moza ka edhe një biçikletë, ka edhe makinë të vogël, me të cilën i bie rreth e përqark pallatit.
Ne, të tjerat, jo se nuk kemi lodra, kemi, po nuk kemi aq shume dhe s'janë aq të bukura si na duken ato të Mozës.
Dhe, të themi të drejtën, lodrat e Mozës na prishin gjithmonë mëndjen, sepse në të vërtetë nuk na pëlqente Moza llasticë, por lodrat dhe sendet e saj na tëhiqnin.
Gjithmonë ndodhte kështu: Mozën e merrte mami ose gjyshja dhe e fuste brënda në shtëpi, ne ktheheshim të mërzitura dhe vazhdonim lojën. Na vinte inat që gjyshja dhe mami i saj nuk na jepnin kurrë të drejtë. Vetëm Sava thoshte e zemëruar:
-Do ta shohë ajo, do ta shohë! Llastica!
Po nuk kalonte shumë dhe Moza zbriste prapë ne oborr me ndonjë kukull të madhe në duar ose me makinën që ia mbante gjyshja. Ah, sa të bukura na dukeshin ato! Në fillim ne bënim sikur nuk e shikonim, po dalëngadalë na ikte inati, dhe duke parë lodrat e Mozës, harronim lojën. E para e linte lojën Eva. Ajo thoshte :
-Unë nuk loz më, se u lodha.
Dilte nga loja dhe pas pak i afrohej Mozës. Moza ia jepte menjëherë kukullën ose çdo gjë tjetër që kishte në dorë dhe, si për inat, shikonte nga ne. Ne të tjerat, tani nuk kishim më mëndjen tek loja dhe një nga nje largoheshim, deri sa loja prishej fare. Ikte Klara, ikte Tina, ikte Edita ... dhe mbeteshim vetëm unë dhe Sava. Ne të dyjave, jo se nuk na pelqenin lodrat e Mozës, na pelqenin shumë, po se si na vinte, ashtu. Na kapte inati. Ishte Moza fajtore dhe, në vend që të vinte ajo tek ne, venim ne tek ajo. A ishte e drejtë kjo? Nuk ishte hiç e drejtë, po hajde t'ua mbushje mendjën Evës, Klarës, Editës, Tinës. Ato zemëroheshin kur Moza na prishte lojën, po kur dilte në oborr me lodrat e saj, e harronin shpejt zemërimin dhe i afroheshin e loznin sikur nuk kishte ndodhur asnjë.
Ah, sikur ta dini sa nxehesha unë e Sava, sidomos Sava. Ta shikonit Savën si behej. Donte të shkonte t'u prishte lojën, t'i shante, biles nganjëherë i hipte ne kokë t'i rrihte. Po une s'e lija.
-Hajde ikim, - i thosha, - Punë e madhe!
Ah, çfare dinake ishte ajo Moza! I nxirrte lodrat sa të na prishte lojën, e t'u merrte mëndjen atyre "budallaqeve" dhe pastaj e dinte vetë ajo. Sepse gjithnjë ndodhte kështu: Ua linte pak lodrën në dorë dhe ua merrte. U thoshte : "Mjaft tani, se më flet mami!"
I mbante sa i mbante, pastaj i dëbonte. Po i dëbonte!
U thoshte :"Ikni, tani se nuk loz më!, Ikni se do loz vetë!, Ikni se u mërzita!"
Kështu na kishte dëbuar njëherë edhe mua me Savën dhe ne që atë ditë nuk shkelnim më në shtëpinë e saj. Pse, ç'ishim ne, shërbëtoret e Mozës?!
Po hajde t'ua mbushje mendjen të gjitha shoqeve të pallatit, që i venin Mozës. Ato kujtonin se ne e kishim inat kot Mozën, sikur ia kishim zili lodrat.
Po ne nuk na bëhej vonë.
Kaloi kështu një javë, një muaj, dy, kur një ditë Klara na u zemërua aq keq me Mozën, se s'duronte ta shihte me sy. I kishte mbajtur bukën e lyer me gjalp, kurse, Moza kishte bredhur me biçikletë dhe pastaj i kishte thënë:
"Pse ma ke lëpire gjalpin?"
Një ditë tjeter iku dhe Tina nga Moza. Ikën me rradhë dhe të tjerat. E fundit iku Eva. Të gjitha nuk i flitnin më Mozës. Ajo ishte llasticë, qe s'i gjëndej shoqja!
Kështu, Moza mbeti vetëm, pa shoqe. Ta shikoje kur zbriste shkallët e dilte në oborr; ngarkohej me gjithë ato lodrat, merrte edhe biçikletën dhe makinën e vogël, por asnjë nuk i afrohej. Ne as e shihnim, as i flitnim, por vazhdonim lojën. Asaj i vinte plasje.
Në fillim priste t'i shkonte ndonje nga ne. Por, kur pa që asnje nuk i vajti, zuri të na thërriste me emër:
-Eva do të lozësh? Na.
Zbriste nga biçikleta dhe priste t'i shkonte Eva por ajo nuk luante nga vëndi, biles edhe kur i prishej mendja, Sava e shikonte me inat dhe Eva nuk guxonte.
Erdhi një ditë që Moza mbeti pa shoqe fare. Lozte me Blertën, që ju s'e njihni, me një vajze të vogël, që s'ka mësuar akoma të flasë. Ne kjo na gëzonte.
Por Moza u mërzit shumë dhe si duket u tha mami dhe babit. Zbriti mami i saj dhe na tha:
-Vajza, pse s'lozni me Mozën?
Ne nuk folëm njëherë, por Sava, që është brisk nga goja, i tha:
-Moza është llasticë!
-I marrsh të keqen Mozës, - u degjua zëri i gjyshes nga dritarja, - llasticë je vetë!
Mami i Mozës u zemërua, por jo me ne, me gjyshen. Ajo nuk foli më. Mori Mozën dhe iku. Nga kjo ne kuptuam se edhe mami i saj nuk donte që Moza të ishte llasticë.
Tani Moza rri fare vetëm. Nuk i zbret më lodrat. Na shikon ne që lozim dhe as na flet, as na nget.
Herën e fundit ndodhi kështu: Ne po loznim prapa pallatit me litar. Kur papritmas u fut në mes Moza dhe deshi të hidhej. Sava, që rretullonte një anë të litarit, sapo e pa, ndaloi lojën. Anën tjetër të litarit e mbante Eva.
-Tunde Eva! - tha me gjysëm zeri Moza.
Por edhe Eva e lëshoi litarin.
-Ti je llasticë! - tha një nga ne.
Padashur ne u grumbulluam dhe e vumë Mozen në mes. Ajo mbante kokën ngritur, po sytë i kishte ulur poshtë.
-Ti nuk je shoqja jonë, - tha Sava. - ti ke shoqe vetëm veten.
Ajo uli menjëherë kokën.
-Llasticë! - thirri Eva
-Llasticë! - thirrëm edhe ne të tjerat.
Moza mbuloi me duar fytyrën dhe menjëherë ia plasi të qarit. Ne nuk folëm fare, as unë, as Sava, asnjë. Ajo qante pa zë, por i gjithë trupi i dridhej. Ne kishim bërë një rreth përqark saj.
-Hajde vajza vazhdojmë lojën! - thirri Sava dhe kapi litarin. Ne u shpërndamë dhe, kur filluam të lëviznim litarin, ajo iku me vrap për në shtëpi.
Qysh atë ditë, Moza e kuptoi gabimin, e kuptoi se ishte bërë llasticë dhe llasticat nuk kanë shoqe.
Ajo vërtetë kishte shumë lodra, kishte mamin, babin, gjyshen dhe gjyshin, por ato nuk ishin shoqe. Nuk ishin ato shoqet me të cilat rri dhe loz gjithë ditën. Ajo nuk ishte e gëzuar si vajzat e tjera të pallatit tonë.
Nje ditë ajo po zbriste shkallët e pallatit. Dalëngadalë ajo u afrua aty ku po loznim ne dhe na pyeti :
-A të loz edhe unë?
Ne po shikonim nga Sava, asaj i erdhi keq, edhe ne na erdhi keq kur pamë sytë me lotë të Mozës.
-Mirë, - tha Sava.
Ajo e gëzuar u fut në lojë, dhe prej asaj kohe, Moza e kuptoi gabimin e saj dhe ne nuk e thërrisnim më llasticë.

0 σχόλια:

Post a Comment