Flying Angel Heart

4.21.2014

Didi në Lazarat : STOP HASHASHIT

 

DidiPër herë të parë, një Drejtor i Përgjithshëm Policie ka shkelur në qendër të Lazaratit, pavarësisht sesi komandant i forcave speciale RENEA, ai ka qenë edhe më parë. Bëhet fjalë për Artan Didin, i cili me vete ka marrë edhe amerikanët e ICITAP dhe europianët e PAMECA, me qëllim për të treguar vendosmërinë që në Lazarat të mos mbillet më hashash. Madje, vizita e tyre është përgëzuar edhe nga kreu i komunës, Dasho Aliko, i cili është shprehur se “amerikanët e vizituan më në fund fshatin tonë”. Ky takim ka pasur në qendër të diskutimit sensibilizimin e banorëve të zonës për të mos mbjellë më kanabis, ku kreu i policisë ka paralajmëruar se pas fushatës sensibilizuese do të nisin edhe operacione në terren. Po sipas tij, pasuria e vendosur nga kultivuesit dhe trafikantët e hashashit do të sekuestrohet, ndërkohë që ka komentuar edhe akuzat e PD-së për trafikun e drogës, duke deklaruar se policia nuk ka asnjë informacion të tillë. Ndërkaq, Aliko ka shprehur besimin se Lazarati do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes për moskultivimin e bimëve narkotike, nëse qeveria plotëson kushte jetësore për ta.

Avioni me drogë

Gjatë vizitës së tij në Qarkun e Gjirokastrës, kreu i policisë, Artan Didi, tha se akuzat e opozitës për trafik droge me aeroplan nga zona e Kardhiqit në Gjirokastër dhe ato për përdorim të territorit të ushtrisë për trafik droge, janë çështje investigimi dhe në momentin, kur policia të ketë prova do t’i bëjë ato publike. “Politika nuk duhet të merret me çështje që nuk i takojnë, siç është hetimi për vepra penale, por zgjidhjen e këtyre çështjeve t’ua lërë në dorë institucioneve përkatëse. Nuk jemi në dijeni të avionëve të ulur në Kardhiq të Gjirokastrës, por nëse pas hetimeve, kjo gjë do të rezultojë e vërtetë, atëherë kjo do të bëhet e ditur për publikun”, ka deklaruar ai nga Gjirokastra pas takimit që pati në Lazarat.

Problemi i drogës

Ndonëse pa praninë e mediave, pjesa më interesante e vizitave në Gjirokastër, ka qenë vizita në qendër të Lazaratit, fshati-komunë më i përfolur për kultivimin e kanabisit, ku Didi shoqërohej me specialistë amerikanë të Programit ICITAP dhe përfaqësues europianë të misionit PAMECA. Grupi i kryesuar nga Didi u takua dhe bisedoi me kryetarin e Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, punonjës të administratës dhe anëtarë të këshillit të kësaj komune. Vetë kryekomunari ka bërë të ditur se vendasit kanë kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria dhe kanë premtuar se do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së shtetit për minimizimin e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e këtij fshati. Nga ana e tij, kreu i policisë ka theksuar se sipas planit që ka policia, pas fazës së sensibilizimit do të nisin operacionet dhe do të rritet investigimi dhe monitorimi i situatës në terren. Didi ka theksuar në takimin e Lazaratit se strukturat e policisë nuk do të tolerojnë në asnjë rrethanë përfshirjen e punonjësve të policisë, punonjësve të administratës dhe të strukturave të qeverisjes vendore në veprimtarinë e jashtëligjshme të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Burime informacioni nga ky takim bënë të ditur se Didi është shprehur edhe për “sekuestrim të pasurisë” për të gjithë ata persona, apo punonjës policie që e kanë ushtruar për një kohë të gjatë veprimtarinë e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Kryekomunari Aliko

Duke parë praninë e ekspertëve ndërkombëtarë të ICITAP, kryetari i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, u shpreh për gazetën “Shqip” se “…më në fund edhe amerikanët erdhën, shkelën Lazaratin dhe panë me sytë e tyre rezultatet pozitive që sjellin këto takime”. Sipas tij, lazot do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes që bën shteti për t’i dhënë fund kultivimit, por edhe qeveria duhet të kthejë sytë për mirëqenien e Lazaratit. “Lazarati të mos bëhet shembull negativ dhe precedent i vetëm i këtij fenomeni. Nuk kërkojmë legjitimimin e së paligjshmes, por ky problem nuk është prezent vetëm në Lazarat. Mbillet hashash në Korçë, në Shkodër apo në Durrës dhe mediat bashkë me policinë kanë të njëjtin refren: ‘hashash prej Lazarati’. Nuk është as e drejtë dhe as e vërtetë”, theksoi në të dy takimet Aliko. Sipas tij, në Lazarat mungojnë terrenet sportive, ku rinia të kalojë kohën e lirë. “Po ashtu, në Lazarat ka 20 vjet që kërkojmë të ndërtohen dy ura në Drino, por nuk ka gjetur mbështetjen e asnjë qeverie”, tha Aliko. Ai ka kërkuar nga qeveria buxhet më të madh për komunën, krijimin e vendeve të reja të punës dhe më shumë mbështetje për mirëqenien e Lazaratit.

0 σχόλια:

Post a Comment