Ndërtimi i Bulevardit të ri në Kryeqytet është kthyer së fundmi në një konflikt mes familjeve që përfshihen në shpronësim dhe bashkisë së Tiranës. 204 familjet, të përfaqësuara nga Pirro Demiri ankohen për referencat jo reale nga ana e Bashkisë në vlerësimin e pronave të tyre, krahasuar me çmimet e tregut. Duke përcjellë shqetësimet e tyre pranë institucioneve shtetërore si Prefektura dhe INUK këto të fundit, një ditë më parë kanë marrë vendim të bllokojnë ecurinë e punimeve të bulevardit. Por nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo duke akuzuar kryeministrin për këtë vendim sipas tij jo ligjor shprehet se INUK ka dalë jashtë kompetencave të veta. Ndërsa për nivelin e ulët të shpronësimeve të pronarëve Bozdo thotë se kryeministri Rama i ka të gjitha atributet ligjore për të ndryshuar çmimin e tokës, pasi kjo sipas tij është e drejtë ekskluzive e qeverisë. Mos vlerësimi dhe për rrjedhojë mos kompensimi i drejtë i pronave që do të prishen është vetëm njëra anë e problemit sipas pronarëve. Ata shprehen se grupet e punës nga pushteti lokal kanë bërë shkelje ligjore duke abuzuar me sipërfaqet e regjistruara të pronës së tyre. Ndërkohë që për këtë projekt nuk u është dhënë asnjë detaj. Nisur nga ky shqetësim Prefektura e Tiranës i ka kërkuar INUK verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor për shembjet e pronave. Punimet e Bulevardit nga Stacioni i Trenit në drejtim të Paskuqanit do të qëndrojnë të pezulluara, sipas INUK, deri në verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor në të mirë të sqarimit të situatës.
0 σχόλια:
Post a Comment