Flying Angel Heart

5.25.2014

Abuzimi me 150 milionë lekë reklama për liberalizimin e vizave

Sipas auditit të kryer, kontratat ishin paracaktuar për dy media

Tenderi i parë u realizua në shkurt 2011 për një spot publicitar për muajt shkurt, mars dhe prill

Më 10 tetor 2011 është zhvilluar një tender tjetër për spot të njëjtë si ai i muajit shkurt 2011

paVizaaZbardhet dosja me abuzimet e kryera nga policia me reklamat për liberalizimin e vizave, ku bëhet fjalë për dy fonde me vlerë totale prej 150 milionë lekësh të reja. Bëhet fjalë për kallëzimin e kryer nga Ministria e Brendshme që në dhjetor të vitit të kaluar, ku deklarohet se ishin paracaktuar fituesit, por janë kryer edhe një sërë shkeljesh të tjera, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik.

Tenderi I

Tenderi i parë është realizuar që në muajin shkurt të vitit 2011 për një spot publicitar për muajt shkurt, mars dhe prill “për informimin e qytetarëve, në kuadër të liberalizimit të vizave”. Gjithçka nis më 17 shkurt 2011, kur Drejtoria e Politikave në Ministrinë e Brendshme i bën një memo sekretarit të përgjithshëm, Etion Kapedani, i cili i sugjeron për të vazhduar fushatën ndërgjegjësuese. Më 24 shkurt 2011, drejtori i përpunimit të informacionit në MB, Isuf Çelaj, i bën një shkresë Kapedanit, ku ka përcaktuar afatin 30-ditor dhe televizionin kombëtar TVSH dhe KLAN për këto reklama, me vlerë 100 milionë lekë që, sipas tij, ka dalë nga studimi i tregut mediatik. Çelaj ka bërë llogaritje për 30 ditë kalendarike me një çmim prej 9.7 milionë lekësh për televizionin TVSH për nëntë transmetime në orë të ndryshme. Në vazhdim ka bërë llogaritjet e çmimit për TV KLAN për 12 transmetime në ditë dhe për 30 ditë, me një vlerë prej 46.5 milionë lekësh pa tvsh. Po në këtë televizion janë bërë llogaritjet e çmimit edhe për transmetimin në emisionin politik “Opinion”, me një kosto totale prej 27 milionë lekësh pa tvsh. Gjithsej, prodhimi i transmetimi është llogaritur me një vlerë totale rreth 100 milionë lekë me tvsh.

Por, sipas drejtorit të financës në MB, Viktor Hysaj, ky shpenzim i kalonte Policisë së Shtetit. Ky rekomandim është miratuar nga ish-ministri Lulzim Basha. Në këto kushte, shkresa i është përcjellë ish-drejtorit të përgjithshëm, Hysni Burgaj, për të realizon spotin me vlerë 100 milionë lekë, por i ka kaluar për kompetencë ish-zëvendësdrejtorit Rasim Borishi dhe drejtorit ekonomik në polici, Xhevdet Kopani. Këta të dy i kanë kërkuar Burgajt që të shkurtojë fondin për uniformat e policisë, pasi për vitin 2011 ishin planifikuar 547 milionë lekë dhe kështu do të mbeteshin vetëm 447 milionë lekë. Në këto kushte, Kapedani i kërkon Burgajt që të konfirmojë këtë veprim financiar.

Kështu, më 9 shtator 2011, ngrihet një komision për vlerësimin e ofertave, në krye të të cilit vendoset Kolë Kukaj, ndërkohë që anëtarë ishin: Adelina Marashi, Agim Hysko, Besjana Martini dhe Liza Tafili. Këta u kanë dërguar ftesë për ofertë katër operatorëve ekonomikë datën e zhvillimit të tenderit më 10 mars 2011, siç shikohet një afat tepër i shkurtër, ndërkohë që fituesit ishin paracaktuar. Ndërkohë, njoftimi për tender në faqen e internetit të policisë ishte bërë vetëm tri ditë para tenderit, më 7 mars 2011. Shkresat e lartpërmendura tregojnë se kryerjet e veprimeve janë bërë formale, pasi akoma nuk ishte miratuar fondi përkatës prej 100 milionë lekësh. Edhe publikimi i njoftimit është bërë formal. Në fakt, komisioni përkatës duhej t’i kishte dërguar shkresë zyrtare drejtorisë përkatëse për publikimin në faqen e internetit dhe kjo e fundit po zyrtarisht të njoftonte komisionin përkatës.

Tenderi II

Po në vitin 2011 është zhvilluar një tender tjetër për spot të njëjtë si ai i muajit shkurt 2011, por me fond limit më të vogël. Më 10 tetor 2011, drejtori i marrëdhënieve me publikun e përpunimit të informacionit, Avni Nezaj, si dhe përgjegjësja e sektorit të marrëdhënieve me publikun, Besa Mera, i drejtohen ministrit të Brendshëm për të vazhduar fushatën e ndërgjegjësimit informues nëpërmjet spoteve televizive për një periudhe 31 ditë dhe një kohë 90 sekondash, me një fond limit 50 milionë lekë, duke cilësuar edhe studimin e tregut. Bashkëlidhur është një përshkrim dy faqe, duke cilësuar ofertën e televizioneve TVSH dhe KLAN, fletë të cilat janë pa datë dhe në nënshkrim të këtyre dy televizioneve apo personave që kanë studiuar tregun. TVSH-ja ka nxjerrë një kosto prej 243 mijë lekësh në ditë dhe për 31 ditë kanë parashikuar një kosto 7.5 milionë lekë pa tvsh. Edhe për televizionin KLAN kanë bërë cilësimet me një kosto ditore 1 milion lekë në ditë dhe për 31 ditë një vlerë prej 33 milionë lekësh pa tvsh. Për të dyja televizionet, sipas tyre duhen 49 milionë lekë me tvsh. Më 17 tetor 2011, me urdhër të kreut të Policisë, Hysni Burgaj, ngrihet komisioni me të njëjtët persona të tenderit të parë për vlerësimin e ofertave. Po atë ditë, komisioni ka përcaktuar se do të ftohen tre operatorët ekonomikë, “Promo”, “Kudeta Event” dhe “Delta Publicity”. Por, ftesa u janë bërë vetëm dy operatorëve, pasi nuk ishte bërë për operatorin ekonomik “Kudeta Event”. Në këtë dosje ka një mesazh të faqes së internetit, që mban datën 17 tetor 2011, ora 12:00, që nuk ka asnjë gjurmë se kur është dërguar apo është printuar nga faqja e internetit. Më 18 tetor është realizuar tenderi dhe është shpallur fitues “Promo”. Në ofertën e fituesit “Promo”, janë paraqitur të njëjtat dokumente që ka paraqitur grupi i studimit të tregut për dy ofertuesit, TVSH dhe KLAN, pra janë me të njëjtin shkrim. Edhe kjo praktikë është e njëjtë me atë të tenderit të muajit mars 2011.

Abuzimet

Llogaritja e fondit limit në dispozicion për të dy tenderët nuk është bërë në sensin e një menaxhimi të mirë financiar, pasi të dhënat janë marrë po nga dy televizione që janë caktuar për të dhënë publicitet. Madje, përderisa ky autoritet kontraktor po e zhvillonte tenderin me agjenci të specializuara, detyrimisht tregu duhej studiuar te këto agjenci dhe jo te televizionet. Për sa më sipër është kërkuar që përgjegjësi të mbajë drejtori Isuf Çelaj.

Nxjerrja dhe përcaktimi i fondit limit duhej marrë të paktën në 4-5 televizione, me qëllim që vendosja e fondit të kishte mirëbesim. Edhe monitorimi u është lënë punonjësve të Ministrisë së Brendshme, në një kohë që u duhej lënë agjencive përkatëse, që merren me monitorime të tilla, duke e konsideruar një shërbim me vlera të vogla. Pra, siç është bërë realizimi i spoteve nëpërmjet agjencive, ashtu duhej vepruar edhe për monitorimet e tyre.

Shkeljet e dy tenderëve

prokuroria-e-tiranesJanë caktuar emrat konkretë të televizioneve, në një kohë që ky vendim kërkon të caktohet numri i televizioneve, çka ngarkon me përgjegjësi Rasim Borishin;

Nuk janë në përbërje të komisionit tre specialistë të fushës, por janë thjesht specialistë të fushës së prokurimeve publike, veprim i cili ngarkon me përgjegjësi Rasim Borishin;

Nuk është zbatuar pika 12 e këtij vendimi, pasi autoriteti kontraktor nuk ka përcaktuar analizimin e ofertave në bazë të pikave, por ka kërkuar vlerën me të ulët;

Autoriteti kontraktor i ka dhënë për miratim Borishit raportin për realizimin e procedurës, në një kohë që për këtë duhej të ishte Burgaj;

Në datën e hapjes së tenderit, bie në sy llogaritja e ofertës nga operatori ekonomik konkurrues “Promo”, që ka sjellë po të njëjtin dokument që ka llogaritur Isuf Çela, kur ka bërë studimin e tregut. Ky dokument është i njëjtë si në vlerën ditore, vlerën 30-ditore, ashtu edhe numrin e emisioneve dhe emërtimet e programacioneve.

Ky vendim ka miratuar një shpenzim për spot publicitar, lidhur me liberalizimin e vizave, duke bërë rialokim ndërmjet programeve, duke shtuar e pakësuar shpenzimet përkatëse. Edhe ky spot nuk kishte përse të përballohej nga fondet e Ministrisë së Brendshme, akoma më keq nga fondet e uniformave të policisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëpërmjet zvogëlimit të fondeve për blerjet e tyre.

Meqë çështja ishte kombëtare, detyrimisht duhej kërkuar nxjerrja e një vendimi qeverie. Gjithashtu nuk kishte përse të paguhej televizioni TVSH, që është televizion publik dhe ka detyrime ndaj tatimpaguesve shqiptarë.

Dhjetor 2013

Kallëzimi ndaj Burgajt dhe nëntë ish-zyrtarëve

Ministria e Brendshme i akuzoi për abuzime me fondin prej 3.1 milionë dollarësh

Ministria-e-BrendshmeNë dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Brendshme kallëzoi dy nga ish-krerët e policisë shqiptare, pasi u ngritën dyshimet se kanë abuzuar me pesë tenderë për spotet publicitare, që në vitin 2011 ishin parashikuar për liberalizimin e vizave. Në atë kohë, Ministria e Brendshme tha se ish-kreu i Policisë, Hysni Burgaj, dhe ish-zëvendësdrejtori Rasim Borishi, bashkë me tetë persona të tjerë dyshohet se kanë shkaktuar një dëm prej 3.1 milionë dollarësh, duke paracaktuar fituesit e tenderëve për spotet televizive. Sipas hetimit të bërë nga oficerët e policisë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka rezultuar se në tre tenderë, komisioni i vlerësimit ka shpallur operatorin fitues dy, tri dhe një ditë përpara hapjes së ofertave, duke paracaktuar fituesin në të gjitha rastet. Po ashtu, në kallëzimin penal rezulton se është vetëm një kompani, e cila ka marrë të gjithë vlerën e parave. Po ashtu, Ministria e Brendshme deklaroi në atë kohë se në kundërshtim me ligjin nuk ishte bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për të gjithë tenderët dhe në komision nuk ka pasur specialistë të fushave. Një ndër më flagrantet si shkelje konsiderohet se janë përcaktuar që në procedurë prokurimi televizionet që do transmetonin spotet publicitare.

Lista e të kallëzuarve

Hysni Burgaj, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Rasim Borishi, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë

Kolë Kukaj, kryetar i komisionit të vlerësimit

Adelina Marashi, anëtare komisioni

Agim Hysko, anëtar komisioni

Besjana Martini, anëtare komisioni

Liza Tafili, anëtare komisioni

Meri Papakonstandini, anëtar komisioni

Klejda Plangarica, anëtare komisioni

Islam Cenga, anëtar komisioni

0 σχόλια:

Post a Comment