Flying Angel Heart

5.24.2014

Gjirafa, motori shqiptar i kërkimit, rival i Google!

Në një intervistë dhënë kohët e fundit për StartupYard, themeluesi i Gjirafa-së, Mërgim Cahani, ka sqaruar në detaje të plota, planet për motorin e parë tw kërkimit nw shqip, Gjirafa.com. Ndwrsa faqja Ameble.com, sjell intervistën e plotë të realizuar nga StartupYard.

Mergim, si do ta përshkruanit Gjirafën me pak fjalë?

Një kafshë e bukur me qafë të gjatë: qesh. Gjirafa është një makine kërkimore, dhe grupues i specializuar i lajmeve në gjuhën shqipe. Gjirafa do të sjellë informata relevante që do të jenë lehtësisht të shfrytëzueshme nga me se 12 milionë shqipfolës nga e mbarë bota.

E pra, ekziston Google për shqipfolësit. A nuk është duke u kryer të njëjtën punë Google?

E njëjta mund të thuhet edhe për makinat tjera kërkimore siç janë Seznam në Çeki ose Yandex në Rusi, mirëpo ato përkundër konkurrencës me Google kanë arritur një sukses të madh në vend. Ato na shërbejnë si model për të lëvizur përpara. Konkurrenca në mes të Seznam dhe Google ka sjellë rezultate më të mira për konsumatorët në Republikën Çeke. Google nuk është e vetme në internet, dhe as nuk duhet te jetë.

Pra jo, ne nuk jemi Google. Ne kemi diçka që Google nuk ka. Gjirafa ka qasje në të dhëna lokale, e kupton tregun dhe ka zhvilluar teknologji për kërkim të plotë të tekstit në gjuhën shqipe. Kjo është diçka që askush tjetër nuk e ka bërë ndonjëherë, përfshirë dhe Google. Gjuha Shqipe qëndron e vetme si gjuhë, pa të afërm.

Gjirafa po tërheqë mjaft vëmendje nga mentorët tanë në StartupYard. Pse mendoni se po ndodh kjo?

Me një përgatitje biznesore dhe akademike, ekipi ynë është ndërtuar për të impresionuar. Tre nga themeluesit tanë, se bashku kanë mbi 30 vjet përvojë pune, një fillim biznesi te suksesshëm, katër master dhe një doktoratë. Bordi këshillues përmban figura të shquara të kërkimit në internet dhe menaxhim, si Prof. Torsten Suel dhe Prof. Jay Nathan.

Jemi shumë të lumtur që po tërheqim kaq shumë vëmendje, por është e rëndësishme të theksohet se kontributi i mentorëve dhe këshillat konstruktive kanë ndikuar në formësimin e produktit dhe kompanisë sonë duke e shtyer atë edhe me tutje. Qe nga dita e parë në StartupYard, gjithnjë e më shumë propozicioni i vlerës ka filluar të përmirësohet, kjo falë këshillave të mentorëve. Arsyeja pse shumica e mentorëve, edhe investitorët janë të interesuar, mendojmë ne, është se projekti ynë i ka parakushtet për të qenë premtues: një ekip i fortë, një treg me potencial të shkëlqyer, dhe teknologjia – e në veçanti, veçoritë dalluese të produktit.

Çfarë ju solli në StartupYard? Cilat kanë qenë përfitimet e juaja, deri më tani?

Jam i sigurt se StartupYard është de fakto përshpejtuesi (akceleratori) më i mirë që ekipi dhe projekti ynë mund të kishte zgjedhur. Në fakt është i vetmi përshpejtues, pjesë e të cilës kemi pas dëshirë të jemi (për këtë projekt). I ka pothuajse të gjithë përbërësit e përshpejtuesve nga vende të tjera, duke përfshirë ato nga Silicon Valley, dhe disa përbërës që drejtpërsëdrejti na japin mundësi më të mira dhe rrisin shanset për sukses.

Mentorët, investitorët, engjëjt dhe VC-të, të përfshirë ne StartupYard, shumë më lehtë mund të kuptojnë potencialin e projektit tonë në tregun tonë të synuar, se sa investitorë të tjerë nga zonat e tjera gjeografike. Ekzistojnë tregime tejet të suksesshme të ngjashme me Gjirafën në Republikën Çeke, dhe disa nga këta investitorë janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në ato projekte (për shembull www.seznam.cz).

Ata e kuptojnë produktin tonë, e njohin potencialin e tij, dhe e kanë të qartë se çfarë duhet për të arritur cakun tonë. Në këtë mënyrë, ata mund të na japin këshilla te cilat janë tejet jetike për suksesin e kompanisë sonë, ndërsa disa prej tyre kanë filluar të shfaqin interesim për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Nga t’ia filloj me të mirat e StartupYard: qesh: Ne e duam Pragën, StartupYard-i në TechSquare ka një mjedis të mahnitshëm pune, njerëz te rëndësishëm, dhe shumë ngjarje të tjera. Sa i përket përshpejtimit të rritjes së projektit tonë, jemi takuar me disa udhëheqës të industrisë, liderë, CEO dhe investitorë nga korporatat kryesore të botës, të cilët me të vërtetë kanë ndihmuar në formësimin e produktit tonë dhe sidomos në përmirësim të propozicionit të vlerës.

Gjithashtu ka shumë lehtësira, për shembull: ne jemi në rrugë për t’u bërë një kompani BizSpark plus (që përmban një kredi 60.000 dollarëshe në Azure, te cilën planifikojmë ta përdorim). E fundit por jo më pak e rëndësishme, janë njerëzit të cilët e drejtojnë biznesin e StartupYard, ata kanë një biografi të dëshmuar dhe përvojë që vërehej qartësisht që nga dita e parë.

Cilat janë qëllimet afatshkurta të Gjirafës? Cilat produkte dhe shërbime do të jenë pjesë të saj në fillim?

Qëllimi ynë afatshkurtër është që të fillojmë brenda dy muajsh. Ne jemi duke planifikuar të përfshijmë disa shërbimeve të “zgjedhura” për fillim. Kjo nënkupton një kërkues të plotë të tekstit, grumbulluesin e lajmeve, orarin e transportit me autobusë për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, motin, si dhe fakte mbi uebin shqiptarë. Të gjitha këto shërbime janë një nga lloji i tyre, meqenëse ato aktualisht nuk ekzistojnë gjëkundi. Përjashtim bën kërkimi i tekstit, ku Google për momentin është në lojë, por ne besojmë se mund të bëjmë një punë më të mirë, meqë ne jemi përqendruar vetëm në një gjuhë dhe në një segment te caktuar të uebit. Kjo ka funksionuar për Seznam-in, dhe ne besojmë se ata na e kanë treguar rrugën e suksesit ndaj Google-it.

Si janë planet tuaja afatgjate?

Qëllimi ynë afatgjatë është që Gjirafa të bëhet faqja kryesore e përdorueseve shqipfolës të internetit. Te jetë sinonim i “Internet-it” në mendjet e shqiptarëve. Nëse ju flisni shqip dhe hapni një shfletues Interneti, ai do të hapë www.gjirafa.com. Ne do të ofrojmë shërbime relevante dhe qasje të lehtë në informata të cilat janë të lokalizuara gjeografikisht dhe me përmbajte të gjuhës shqipe.

Gjirafa do të jetë më shumë se vetëm një motor kërkimi i dobishëm, ajo do të jetë kudo dhe për çdo gjë. Unë nuk do të flas në veçanti për shërbimet e planifikuara, por mund t’ju them se kemi një listë të plotë ne pritje, ku secila prej tyre është më e vlefshme se tjetra.

Listën e qëllimeve tona afatgjata për momentin e kryeson “të mundësojmë e-commerce-in në Shqipëri dhe Kosovë”. Një mundësi tjetër është edhe replikimi i kësaj platforme në vende të tjera të gadishullit të Ballkanit.

Keni përmendur zhvillimin e një makine kërkimorë të veçantë për gjuhën shqipe. Çka mund të na thoni në lidhje me procesin e zhvillimit?

Ishte zbavitëse! :qesh: Kjo mund të duket jashtëzakonshme, por vërtetë, ishte zbavitëse.

Të punoja në ketë projekt në Kosovë, ishte ndryshe nga përvoja që kisha në Shtetet e Bashkuara; ku në punën time të fundit kam punuar në një mjedis tejet korporativ. Para kësaj unë kam qenë i angazhuar në punë Akademike, dhe duke qenë në gjendje të punojnë me orarë të plotë në një projekt që unë e kam dashur, çfarë mund të them? Ishte emocionuese.

Një dhomë gjumi të shtëpisë e kam kthyer në një zyrë (ky startup ishte luksoz, pa garazh apo zyra)! Për të krijuar të gjitha pjesët e nevojshme te motorit kërkimor Gjirafa, “multi-threaded crawler, indexer, query procesor”, dhe disa gjëra te tjera në mes, kam shfrytëzuar përvojën time paraprake në zhvillim të motorëve të kërkimit, të cilat kishin zanafillë në programin tim të magjistraturës nga Shkola e Inxhinierisë Poly, të NYU, si dhe me ndihmën tejet të çmuar te mentorit tim Prof. Torsten Suel, arrita te zhvilloj një prototip që nuk ishte më i miri, por ishte mjaftueshëm i mirë, dhe isha i kënaqur me rezultatin.

Kufizimet më të mëdha në fillim ishin harduerike dhe të rrjetit, plus vonesave, dhe herë pas here problemeve algoritmike që më mbanin zgjuar deri vonë. Më vonë, dy shokë të mi u bashkuan me mua si bashkë-themelues, dhe tani ne jemi duke punuar në rritjen dhe përmirësimin e makinës kërkimore.

Njëri bashkë-themelues, Ercan Canhasi, PhD, është duke punuar në makinën kërkimore, ndërsa bashkë – themeluesi tjetër, Diogjen Elshani, MSc, është duke punuar në zhvillim të biznesit.

Pse mendoni se konkurrentët si Google nuk janë përqendruar tek shqipfolësit?
Google nuk e ka injoruar tërësisht ketë treg. Unë mendoj se ata do të pendohen për këtë.
Google ka mundësi të përshtatet pothuajse në çdo treg nëse ka të dhëna të mjaftueshme. Por këtu ka dy probleme (1) për momentin nuk ka të dhëna të mjaftueshme në internet për gjuhën shqipe, dhe (2) gjuha shqipe është një nga gjuhët me unike në botë.

Google nuk mund të kërkojë diçka që nuk ka; ajo nuk mund të indeksojë informata që aktualisht nuk ekzistojnë në ueb. Sa i përket gjuhës shqipe, ajo është nga të paktat gjuhë që nuk rrjedhin nga ndonjë një gjuhë tjetër; ajo është degë në vete. Per të përpunuar një gjuhë (në mënyrë inteligjente), do të thotë të posedosh disa njohuri të nevojshme për atë gjuhë. Hulumtimi gjuhësor në gjuhën angleze, si dhe për shumë gjuhë të tjera, ekziston.

Pothuajse nuk ka asnjë hulumtim gjuhësorë për gjuhën shqipe që mund të përdoret në këtë kuadër. Aktualisht ne jemi në hulumtim dhe zhvillim të gramatikës dhe sintaksës së gjuhës shqipe për NLP (Natural Language Processing). Ne e kemi bërë një punë që do të mundësojë lidhjen e shqipfolësve së bashku në internet, nëpërmjet gjuhës së tyre.

Situata politike e Kosovës padyshim e ka mbajtur mbrapa zhvillimin e biznesit në rajon. A e shihni situatën të përmirësuar mjaftueshëm që rajoni të konkurrojë në të njëjtin nivel me pjesën tjetër të Evropës?
Është e vërtetë qe situata politike në rajon e ka ngadalësuar zhvillimin. Por gjërat kanë filluar të marrin kthesë, dhe tregjet e Kosovës dhe Shqipërisë janë duke u zhvilluar, veçanërisht në fushën e teknologjisë.

Bazuar në të dhënat tona të nxjerra, uebi shqiptar është ende në fazat e hershme të zhvillimit te tij, por ai është dyfishuar në vitin e kaluar, duke u rritur gjithnjë e më shumë. Duke pasur parasysh se e gjithë madhësia e uebit rritet po thuajse njejtë, dallimi është se uebi shqiptare ka zgjeruar vlerën thelbësore ekonomike në një shkallë shumë më të madhe se mesatarja.

Ai është në zhvillim, dhe kjo do të thotë se përfitimet në fusha të ndryshme do te jenë tejet pozitive. Pjesa tjetër e Evropës nuk do ketë përmirësim 200% të përvojës në internet në 2 vitet e ardhshme. Shqipëria dhe Kosova do ta kenë atë lloj të përmirësimit.

Ky ueb i ri është një prej arsyeve se pse tregu nuk është i penetruar prej kompanive globale, gjë e cila na e bën projektin tonë logjikshëm një mundësi të madhe për momentin.

Si është strategjia e juaj e marketingut për Gjirafën? Google është e njohur në të gjithë Evropën për kërkim. Si mund të jeni konkurrues?
Pozicionimi ynë konkurrues është i bazuar në shërbime unike që ne ofrojmë për përdoruesit, të cilat Google dhe konkurrenca nuk e ofrojnë. Njerëzit kanë nevojë për informacione, dhe për momentin nuk mund ti gjejnë ato në internet, dhe ne mendojmë se ky treg ka mbetur prapa – por ata se shpejti do të jene në gjendje të gjejnë informata në www.gjirafa.com.

Gjithashtu, ne do të ofrojmë një platformë ku tregtarët do të kenë mundësi të synojnë dhe arrijnë konsumatorët e tyre. Ky aspekt i ekonomisë në internet tërësisht i mungon Shqipërisë dhe Kosovës. Strategjia jonë e marketingut është e ndryshme dhe është një kombinim i disa kanaleve. Pa hyrë në detaje, ne kemi planifikuar një strategji të marketingut të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.

0 σχόλια:

Post a Comment