Flying Angel Heart

5.25.2014

Pastrimi i bregdetit, aksion nga veriu në jug të vendit

 

Ushtria, zjarrfikësit, zyrtarët vendorë dhe shumë shoqata mobilizohen për nismën

pastrimAksioni për pastrimin e bregdetit, jo vetëm nga ndërtimet pa leje është shtrirë dje që nga Velipoja deri në Ksamil, duke mobilizuar jo vetëm forcat e armatosura, por edhe shumë qytetarë dhe zyrtarë të njësive vendore. Rreth 1300 forca ushtarake kanë zbritur në bregdetin e jugut nga Plazhi i Zvërnecit, deri në gjirin e Ksamilit në Sarandë, ndërkohë që në veri është mobilizuar shërbimi zjarrfikës për të pastruar plazhet.

Vlorë

Aksioni në Vlorë është përqendruar përgjatë gjithë vijës bregdetare, kryesisht në plazhet më të ndotura, ku forcat e ushtrisë kanë pastruar jo vetëm mbetjet urbane, por edhe ato inerte të mbetura si pasojë e prishjes së ndërtimeve pa leje. Fillimisht, aksioni ka nisur në plazhin e Zvërnecit, në bregdetin ranor, në plazhin e vjetër dhe më pas në Radhimë, Orikum, Palasë, Himarë, Qeparo, Borsh dhe në Gjirin e Kakomesë deri në Ksamil. Ndërkohë, aksioni do të përfshijë edhe Pyllin e Sodës, një prej zonave më të ndotura të qytetit bregdetar. Aksioni i pastrimit të bregdetit është inspektuar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo. Mbetjet e grumbulluara do të depozitohen në Nartë, në zonën që Bashkia e Vlorës ka caktuar si vendgrumbullim.

Sarandë

Gjithashtu, aksion pastrimi ka pasur edhe në Portin e Sarandës dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, u shpreh nga Butrinti se ky aksion synon pastrimin e zonave bregdetare në vend dhe do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror. Në Lagunën e Butrintit, përgjatë vijës ku derdhet në liqen kanali i Vivarit, Tare konstaton se përveç ndotjes së mjedisit, zona nuk është zhvilluar.

Ksamil

Sakaq, rreth 300 efektivë janë përqendruar në ishullin e Ksamilit, për largimin e inerteve të mbetura pas shembjes së ndërtimeve pa leje. Ndërkohë, në muajin qershor pritet të vendosen 11 fushëpushime të Forcave të Armatosura përgjatë bregdetit me qëllim që aksioni të vazhdojë pa ndërprerje.

Shkodër

Ndërkaq, aksioni ka vijuar edhe në Veri. Rreth 150 forca të ushtrisë të zjarrfikësve dhe 9 mjete ushtarake kanë pastruar nga mbetjet edhe zonën turistike të liqenit të Shirokës në Shkodër dhe në bregdetin e Velipojës.

Shëngjin

Nga ana tjetër edhe në bregdetin e Shëngjinit është zhvilluar një aksion pastrimi për mbetjet urbane. Aksioni është zhvilluar nga vullnetarë të lëvizjes Green line Albania, të cilët kanë pastruar të gjithë vijën bregdetare deri në Kune. Re. Rre.

Panairi

Ushqimi, si resurs turistik në Lushnjë

Bashkia e Lushnjës organizoi pas 14 vitesh panairin e agrobiznesit. Ky panair çelet për herë të parë me pjesëmarrjen e firmave të ndryshme të prodhimeve bujqësore, blegtorale, kulinari, farëra etj. Lushnja zë vendin kryesor në Shqipëri për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. “Unë besoj se gjithë produktet bujqësore bio që Shqipëria ka, me Lushnjën që është hambari i saj, do të nxisin më shumë degën e turizmit. Këto produkte shkojnë për eksporte kudo në botë dhe së shpejti për Lushnjën do të bëhen investime të mëdha, për t’i dhënë qytetit një pamje tjetër”, deklaroi ministrja Eglantina Gjermeni. Fermerë dhe drejtues të kompanive agropërpunuese shprehen të kënaqur me hapjen e këtij panairi, që sipas tyre i shërben më së shumti atyre për të krijuar sa më shumë kontakte me konsumatorin dhe tregun.

0 σχόλια:

Post a Comment