Flying Angel Heart

5.24.2014

Pse duhet ta dini nga vijnë vizitorët e faqes tuaj të internetit?

 

 

Rritja e numrit të vizitorëve (vizitueshmëria) të faqes tuaj në internet është padyshim synimi i çdo biznesi apo kompanie që reklamon një shërbim ose produkt çfarëdo online. Qoftë edhe në rastin e faqeve informative, si gazetat apo direktoritë, rritja e numrit të vizitorëve rrit edhe vlerën reklamuese apo informuese të vetë faqes. Në rastin e faqeve që shesin produkte/shërbime, rritja e numrit të vizitorëve rrit edhe mundësinë e blerjeve.

Prandaj, analizimi i origjinës së vizitorëve të faqes tuaj ju lejon të gjykoni më drejtë vendimet apo veprimet që duhet të ndërmerrni për të rritur vlerën e faqes ose shitjet e produkteve/shërbimeve tuaja.

Në vija të përgjithshme vizitorët e faqes tuaj vijnë nga këto burime kryesore:

  • nga motorët e kërkimit (Google, Yahoo, Bing, etj)
  • nga faqet e tjera referuese (si p.sh. media sociale si Facebook, etj)
  • nga trafiku i drejtpërdrejtë (direkt), dhe një burim i katërt
  • nga fushatat e marketingut (Email marketing, Facebook Ads, Google Ads, etj).

Para se të futemi më tej në trajtimin e burimeve kryesore të vizitorëve, duhet të sqarojmë se këtu po marrim të mirëqenë faktin që faqja juaj i regjistron vizitorët nëpërmjet shërbimeve të ndryshme statistikëmbledhëse si Google Analytics, etj.

Nëse e përdorni internetin rregullisht, atëherë domosdoshmërish ju përdorni edhe motorët e kërkimit për të gjetur informacionin që kërkoni. Por kështu bëjnë edhe vizitorët apo klientët tuaj potencialë. Google dhe Bing janë vetëm dy prej motorëve aktualisht më të njohur dhe më të përdorur në internet. Sfida juaj është të prezantoheni sa më mirë me qëllim që kur dikush kërkon për një informacion, produkt apo shërbim të përafërt me tuajat, faqja juaj të dalë sa më lartë në listën e rezultateve të kërkimit.

Përmirësimi i renditjes së faqes tuaj në motorët e kërkimit (SEO) kërkon një punë të vazhdueshme dhe publikim të rregullt informacionesh me qëllim që motorët të kenë informacion të bollshëm dhe sa më të freskët që t’ua serverin atë vizitorëve që kërkojnë në internet.

Nëse përqindja që zë numri i vizitorëve që vijnë në faqen tuaj nga motorët e kërkimit nuk është shumë e lartë, kjo mund të nënkuptojë që ju:

  • mund të mos jeni regjistruar ende në këto motorë
  • mund të keni mungesë informacioni të bollshëm
  • mund të mos keni informacion të freskët
  • mund të mos keni informacion i cili është me interes për vizitorët që kërkojnë
  • etj.,

Këto janë vetëm disa nga arsyet kryesore pse ju nuk keni vizitorë nga motorët e kërkimit. Identifikimi i problemit në këtë rast do t’ju ndihmojë të mendoni më konkretisht për hapat që duhet të ndërmerrni për ta përmirësuar situatën.

Faqet referuese (blogjet, media sociale, etj.)

Kur dikush vendos një link në faqen e tij, e cila ju çon direkt te faqja juaj, atëherë rritet edhe mundësia që vizitorët apo klientët potencialë të gjejnë faqen tuaj. Gjithashtu, kur dikush e reklamon/referon faqen tuaj me një link brenda faqes së tij, kjo bën që faqja juaj të vlerësohet më mirë edhe nga motorët e kërkimit të cilët e përdorin numrin e faqeve referuese si një element vlerësimi për renditjen tuaj brenda rezultateve të kërkimit.

Thënë ndryshe, sa më shumë faqe të tjera t’ju reklamojnë/linkojnë aq më shumë rritet mundësia e gjetjes së faqes tuaj nga vizitorët/klientët potencialë. Ky lloj referimi në internet është i krahasueshëm me reklamën (referimin) që njerëz apo klientët tuaj mund t’i bëjnë biznesit tuaj te klientët e tjerë që nuk ju njohin ende.

Një pjesë e madhe e faqeve referuese tashmë janë kanalet e ndryshëm të medias sociale, pra faqe si Facebook, Twitter, LinkedIn, blogjet, forumet, etj., etj. Madje, për mjaft uebmaster, si unë, që merren rregullisht me këtë punë, media sociale është shpesh burimi kryesor i vizitorëve.

Trafiku i drejtëpërdrejtë (ose trafiku direkt)

Trafiku i drejtëpërdrejtë nënkupton numrin e vizitorëve të cilët vijnë në faqen tuaj duke shkruar direkt adresën tuaj në internet. Pra kur dikush vjen te faqja juaj pasi ka vendosur në shfletues adresën e biznesit tuaj. Këta lloj vizitorësh janë ata që e kanë mësuar adresën e faqes tuaj nëpërmjet një reklame apo ndonjë miku, ose janë vizitorë të rregullt.

Ndonëse numri i këtyre vizitorëve normalisht përfaqëson një përqindje më të ulët nga totali i vizitorëve të faqes tuaj, ai gjithsesi mbetet një tregues mjaft i rëndësishëm kur dëshironi të kuptoni se sa rregullisht përdoret faqja juaj. Pra kur vizitorët vijnë direkt në faqen tuaj, kjo nënkupton se ata e përdorin atë si burim i rregullt informacioni dhe potencialisht e përdorin edhe për porositjen e shërbimeve/produkteve që ju ofroni.

Fushatat e marketingut (online ose offline)

Fushatat e marketingut që sjellin vizitorë në faqen tuaj janë të dy llojeve kryesore:

Online – këtu bëhet fjalë për reklamën tuaj virtuale në faqet e internetit, fushatat me email, reklamat/referencat nga faqet e tjera, njoftimet dhe prania juaj nëpër faqet e medias sociale, etj.

Offline – këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e reklamave me materiale apo formate të printuara, vizive, audio, etj, etj., të cilat reklamojnë direkt ose indirekt faqen tuaj në internet.

Tema e fushatave të marketingut është relativisht shumë e gjerë, por ajo që është e rëndësishme të theksohet këtu është fakti që pa bërë marketing faqja juaj do të mbetet në errësirë dhe jashtë vëmendjes së vizitorëve apo klientëve tuaj potencialë. Fushatat e marketingut (të vazhdueshëm) janë burimi kryesor i vizitorëve të cilat më pas e gjejnë faqen tuaj nëpërmjet burimeve që përmendëm pak më sipër.

Në përfundim

Siç e përmendëm edhe në fillim, analizimi i burimeve kryesore të vizitorëve të faqes tuaj ju ndihmon të gjykoni më drejtë vendimet dhe veprimet që duhet të merrni për ta rritur numrin dhe vlerën e tyre për punën dhe shërbimin/produktet që ju ofroni.

P.sh. në momentin që ju shikoni se numri i vitizitorëve që referohen nga (si p.sh. Facebook, blogje, etj) është shumë i ulët, atëherë mund të filloni të mendoni më konkretisht për të ndërtuar një strategji më të plotë për median sociale. Në rastin kur numri i vizitorëve që vijnë nga motorrët e kërkimit është relativisht i vogël, atëherë një strategji e mirë do ishte identifikimi i fjalëve kyce si dhe përgatitja e shkrimeve apo postimeve të rregullta të cilat rrjedhimisht do t’ju sillnin edhe më shumë vizitorë.

  • Jo çdo burim është i njëjtë.
  • Jo çdo vizitor është i njëjtë.
  • Jo çdo vizitor është klienti juaj

Ndaj është e rëndësishme të zbuloni dhe të kontrolloni rregullisht (çdo javë, çdo muaj) nga vijnë vizitorët tuaj. Kështu mund të kuptoni ku duhet të përqendroni energjinë dhe kohën tuaj për të rritur vlerën e burimeve më të dobishme.

Identifikimi dhe analizimi i vizitorëve do t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni më mirë nevojave të tyre. Gjithashtu, identifikimi i burimeve do t’ju ndihmojë të përgatisni strategjinë tuaj të veprimit me qëllim rritjen përfitimit për punën apo biznesin tuaj.

ndahe me miqët

0 σχόλια:

Post a Comment