Flying Angel Heart

5.24.2014

Avionët italianë do të monitorojnë Shqipërinë për mbjelljen e hashashit

Tahiri për Lazaratin

Raporti - “Kur kam marrë detyrën, gjeta në tavolinë një raport të italianëve, që pas një fluturimi kanë fotografuar parcelat e kanabisit në vend”

Ndërhyrja - “S’besoj se ndërhyrja do të jetë ushtarake dhe luftarake. S’do të ketë luftë dhe besoj se zgjidhja na takon të gjithëve. Lazarati do shpëtuar, s’do luftuar”

Parashikimi - “Unë kam shumë besim që shtatori i vitit që vjen, s’do e gjejë Shqipërinë me parcela pa hesap të kanabisit në Lazarat, por edhe në të gjithë Shqipërinë”

Bashkëpunimi

Operacioni do të fillojë ditën e hënë. Pas filmimit dhe fotografimit, do të ndërhyhet në terren për asgjësimin

avion-italian-lazarat-noaHASHASHI-05_24lazarat gjirokasterlazarati lulezonLazaratiPlanespottersNet_252500
Prokuroria, SHISH-i dhe Policia e Shtetit, po hartojnë planin për ndërhyrjen në Lazarat

Vëzhgimi 2013

“Google Maps” - Ka bërë një fotografim të të gjithë territorit shqiptar nga hapësira në vitin 2013, ku fshati Lazarat lulëzonte në pikun e vapës

Depozita dhe puset - Nga pamjet duken dhjetëra puse në gati çdo parcelë. Janë ngritur buzë përroit, por ka edhe në mes të fshatit. Ndërkohë, banorët kanë bërë edhe depozita uji të mëdha në kodër

Muret rrethuese - Pranë rrugës që të çon në qendër të fshatit, banorët kanë ngritur edhe mure rrethuese të larta, por që nga fotografitë prej ajrit, duket qartë se oborret e banesave janë të mbjella

Policia - Në atë kohë, policia zhvilloi operacione jashtë fshatit, bllokoi makinat që transportonin ujë apo edhe punëtorët. Asnjë ndërhyrje në parcelat me kanabis

Policia shqiptare bëhet gati për një tjetër monitorim nga ajri të territorit të vendit me avion, në kuadër të luftës kundër mbjelljes së hashashit. Një avion i policisë italiane, i ngjashëm me atë që monitoroi disa muaj më parë Shqipërinë, do t’i vihet në dispozicion Policisë së Shtetit, për të filmuar dhe fotografuar zonat në të cilat është mbjellë hashash. Vetëm pas fotografimit, forcat vendore të policisë, por edhe të mbështetura nga forca speciale të policisë, do të ndërhyjnë në terren, për asgjësimin e parcelave të mbjella me lëndë narkotike. Disa orë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, se u kanë kërkuar homologëve italianë kërkesë për një avion vëzhgues, kërkesa është pranuar, pasi edhe më parë, policia italiane kërkon ndërhyrje në parcelat e mbjella, pasi në këtë mënyrë do të mund të parandalohet më pas edhe trafiku. Ministri Tahiri në “Top Story”, tha se deri në muajin shtator, situata në Lazarat, por edhe në të gjithë vendin, nuk do të jetë ajo e shtatorit të vitit të kaluar, kur policia italiane raportoi në atë kohë se hashashi i mbjellë në fshatin rebel kap shifrën e 4.5 miliardë eurove. Në atë kohë, askush nuk e besoi deklaratën e policisë italiane, madje as policia dhe as ministria e Brendshme, të cilat nuk ndërmorën asnjë operacion për asgjësimin e lëndës narkotike. I vetmi aksion, si çdo vit, ishte bllokimi i mjeteve motorike që transporton ujë drejt Lazaratit. Madje, policia filloi të ngrejë postblloqe në rrugën nacionale edhe për punëtorët e krahut, të cilët shkonin në Lazarat për të punuar, pasi një ditë pune shkonte deri në pesë mijë lekë (të reja). Madje, punëtorët ishin nga disa rrethe të Shqipërisë, dhe më të besuarit ishin nga Qarku i Elbasanit. Në muajt korrik, gusht, shtator të vitit të kaluar, kur ishte e qartë rotacioni i pushtetit, por jo i strukturave të policisë, nuk u zhvillua asnjë operacion, megjithëse filmimet dhe fotografimet e italianëve ishin të qarta, ku dukeshin plantacionet e drogës. Madje, policia nuk mori mundimin as të bënte një kontroll të thjeshtë në “Google Maps”, ku dukej fare mirë mbjellja cep më cep e thuajse të gjitha tokave në fshat. Madje, në pamjet e “Google” dukej se fusha ishte djerrë, ndërsa fshati dhe mali lulëzonin, megjithëse fotografimi i Lazaratit ishte bërë në muajt e nxehtë të vitit. Ministri aktual i Brendshëm, Saimir Tahiri, e pranoi se, në momentin që mori detyrën (shtator 2013), gjeti një dosje të plotë për situatën e plantacioneve me hashash, por mungesa e besimit te forcat e rendit apo edhe te strukturat e tjera, bëri që ndërhyrja të mungonte. Kujtojmë këtu se në muajt e verës, por edhe në shtator e tetor, nga fshati Lazarat dëgjoheshin krisma armësh. Madje, armët drejtoheshin nga qyteti i Gjirokastrës, ku një shtetase u plagos me një plumb qorr.

Deri më tani, policia ka raportuar se nuk ka parë të mbjella kanabisi në Lazarat, ndërsa nuk saktëson nëse ka apo jo parcela në këtë fshat. Vetë nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, gjatë vizitave me banorët e Lazaratit, tha se nuk kishte parë plantacione, ndërsa dyshimet se në këtë fshat ka filluar sërish kultivimi i bimës së ndaluar ka sjellë kërkesën e palës shqiptare për monitorimin e territorit të vendit me avionë italianë. Dje, Policia e Shtetit tha zyrtarisht se ditën e hënë do të fillojë monitorimi i territorit të vendit me avion të posaçëm. “Ditën e premte u zhvillua një takim ndërmjet funksionarëve të Policisë së Shtetit dhe të policisë italiane, gjatë të cilit u diskutuan hapat që do të ndërmerren në bazë të protokollit të bashkëpunimit për monitorimin e territorit të vendit me avion të posaçëm, që do të vihet në dispozicion nga policia italiane. Në fokus të këtij takimi ishte përcaktimi i modaliteteve të monitorimit të territorit përmes avionit të posaçëm vënë në dispozicion nga policia italiane, masat për kontrollin e territorit pas identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara, me qëllim asgjësimin e tyre, mënyra e raportimit të përbashkët për rezultatet, si dhe masat e sigurisë gjatë operacionit”, pohoi dje Policia e Shtetit. Sipas nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, Altin Qato, aksioni do të fillojë ditën e hënë, ku do të nisë edhe monitorimi përmes avionit, proces i cili do të pasohet nga veprimet në terren të forcave vendore të policisë, të mbështetura nga forcat speciale, me qëllim asgjësimin e sipërfaqeve të konstatuara.

Tiranë

Kapet lazaratasi me lëndë narkotike

Një 27-vjeçar është arrestuar dje paradite në Tiranë, ku gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi e vogël lëndësh narkotike, e llojit kanabis sativa. Në pranga ka rënë Mirjan Bejko, banues në fshatin Lazarat në Gjirokastër. Policia tha se ditën e djeshme, rreth orës 01:00, lazaratasi është kapur në Rrugën e Saraçëve nga reparti “Shqiponja”, ku gjatë kontrollit i është gjetur edhe lënda narkotike. Sipas burimeve policore, agjentët kishin dyshime se ky person mbante kanabis, ndërsa ende nuk është saktësuar nëse kjo sasi e vogël që iu gjet në trup është për konsumim vetjak apo si mostër për ndonjë “tregtar”, që kërkonte të shpërndante drogën. Sërish ka dyshime se Bejko mund të jetë bashkëpunëtor në ndonjë grup që shpërndan kanabis në lokalet e natës në Tiranë, por edhe në disa rrethe të tjera. Gjithsesi, do të jenë hetimet e mëvonshme të prokurorisë që do të saktësojnë nëse droga ishte për shpërndarje apo për konsumim personal të të arrestuarit.

0 σχόλια:

Post a Comment