Flying Angel Heart

5.25.2014

Pallati 7-katësh, pranga kryeinspektorit të INUV, në kërkim ndërtuesi

 

 

Akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim të paligjshëm”

Prokuroria tha se kryeinspektori i INUV në Rrashbull nuk ka marrë masa në kohë për ndërtimin

INUK ka bllokuar prej disa ditësh pallatin te Shkëmbi i Kavajës, i cili do të shembet me tritol

Ndërtimi pa leje i një pallati 7-katësh te Shkëmbi i Kavajës nuk ka sjellë vetëm bllokimin e objektit, që do të shembet nga INUK, por edhe arrestimin e kryeinspektorit të INUV në Komunën e Rrashbullit, ndërkohë që është shpallur në kërkim policor biznesmeni Enver Shaba, i cili është pronari i ndërtesës. Informacioni bëhet i ditur nga burimet pranë prokurorisë, të cilat shpjeguan se këto masa janë marrë pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, e cila ka vendosur arrest me burg për kryeinspektorin e INUV, Fiqiri Dema, dhe ndërtuesin Enver Shaba.

pallati-durresHetimi për këtë rast mësohet se ka nisur në fund të tetorit 2013, por sigurimi i provave është realizuar vetëm këtë muaj. Sipas të dhënave zyrtare mësohet se Prokuroria e Durrësit, më 30 tetor 2013, ka regjistruar procedimi penal për “Ndërtim të paligjshëm”. Pas hetimeve të kryera është ngritur dyshimi i arsyeshëm se kjo vepër është kryer nga Enver Shaba (Shala) dhe për këtë shkak ka nisur procedimi penal ndaj Shabës për “ndërtim të paligjshëm dhe Fiqiri Demës, me detyrë kryeinspektor i INUV në Komunën Rrashbull, për “shpërdorim të detyrës”.

Sipas informacioneve që ka vënë në dispozicion Komisariati i Durrësit më 29 tetor, INUK i ka vënë në dijeni për kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm dhe ka kërkuar mbështetje nga forcat e policisë për pezullimin e ndërtimit shumëkatësh, pa leje, në zonën bregdetare, ndërtim i cili kryhej nga Enver Shaba. Në funksion të fazave të ndërtimit të këtij objekti është kryer një akt ekspertimi, nga i cili rezulton se ndërtimi i ri ishte pa lejen e organeve kompetente.

Në këto kushte, më 13 maj 2014 është këqyrur kartela e pasurisë nga ku rezulton se kjo pasuri është me sipërfaqe 839 metër katrorë dhe sipas azhurnimit që i është bërë me datë 28 nëntor 2012 rezulton të jetë në pronësi të shtetit. Nga hetimi i kësaj çështjeje, konstatohet se objekti pa leje ka filluar ndërtimin shumë kohë përpara se të fillonin procedurat e konstatimit të ndërtimit të paligjshëm dhe nxjerrjes së vendimit nga kryeinspektori i INUV të Komunës Rashbull për shembjen e objektit. Madje, në vendimin e nxjerrë nga Fiqiri Dema është përshkruar se objekti është 2 kate dhe një kat nën tokë. Këto akte duket se janë tepër formale, pasi sipas aktit të ekspertimit dhe tabelës fotografike të mbajtur me datë 25 tetor 2014, rezulton se objekti është 4 kate dhe jo dy kate sa është përshkruar në këto akte.

Në këto kushte, prokuroria akuzon kryeinspektorin Dema se ka lejuar ndërtimin dhe më pas në mënyrë krejt formale, duke e ditur që ndërtimi po kryhej në tokë publike dhe në zonë me rëndësi kombëtare, nuk ka prishur objektin dhe kallëzuar faktin për ndjekje penale. “Ky ndërtim ka filluar të ndërtohet shumë kohë përpara se të konstatohej nga policia gjyqësore, e cila menjëherë ka referuar faktin në Prokurori, ndërsa Fiqiri Dema, me detyrë kryeinspektor i INUV në Komunën Rrashbull, nuk ka përmbushur detyrën e tij. Ndërkohë, Enver Shaba ka ndërtuar objekt pa leje”, thotë prokuroria, e cila shton se përballë këtyre fakteve ka kërkuar “arrest me burg” për Enver Shabën dhe Fiqiri Demën, masa që janë pranuar nga Gjykata e Durrësit. Pas masës së dhënë nga gjykata, policia ka arritur të arrestojë Fiqiri Demën, ndërkohë që ka shpallur në kërkim Enver Shabën. Nga ana tjetër, INUK prej pak ditësh ka nisur procesin e vendosjes së eksplozivëve në ndërtim pa leje, që sipas informacioneve të pakonfirmuara pritet të shembet sot.

0 σχόλια:

Post a Comment