Flying Angel Heart

5.24.2014

Censusi zbulon vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Europë

 

 

2 në 5 vdekje të foshnjave nuk raportohet. Surpriza: Kemi jetëgjatësinë më të lartë në rajon

KOnferenca e INSTATAnaliza e Censusit 2011 zbulon të vërtetën tronditëse që vdekshmëria foshnjore është shumë e lartë dhe më e keqja, nuk raportohet rregullisht. Në vitin 2007 vdekshmëria foshnjore e tyre arriti 15.3  për 1 mijë, duke qenë në vendin e dytë pas Turqisë për këtë tregues. Ndërkaq, 2 nga 5 vdekje foshnjore nuk regjistrohen. Ndërkaq, sipas Censusit 2011, popullsia do të shkojë drejt plakjes, por me jetëgjatësi më të lartë. Megjithëse ka standardin më të ulët të jetesës në Europë, Shqipëria ka bërë progres në jetëgjatësinë e popullsisë. Shqipëria ka jetëgjatësinë 77.04 vjeç. Femrat kanë jetëgjatësi më të madhe, ato jetojnë 4.6 vjet më tepër se burrat. Popullsia në grupmoshën 15-64 vjeç është rritur në mënyrë të qëndrueshme nga rreth 58% në vitin 1974 në 68 për qind në vitin 2011. Kjo do të thotë se koeficienti i varësisë, raporti i numrit të personave në grupmoshat 0-14 vjeç dhe 65 vjeç e lart përkundrejt atyre 15 deri 64 vjeç, është zbritur në mënyrë të njëtrajtshme. Shqipëria me koeficientin e saj të ulët të varësisë prej 77%, ndodhej në vitet 2001 -2011 në një dritare mundësish ekonomike. Ky episod i “dividendit demografik” rezulton si rrjedhojë e një numri të lartë popullsie potencialisht ekonomikisht aktive përkundrejt një numri të ulët popullsie të re dhe të moshuar. Prej vitit 2021 e në vazhdim, dritarja do të fillojë të mbyllet për shkak të rritjes vazhdimisht të popullsisë së moshuar dhe qëndrueshmërisë në numrin e fëmijëve. Nëse Shqipëria do të përfitojë nga ky “dividend demografik”, varet se sa e aftë, e shëndetshme dhe e kualifikuar do të jetë fuqia punëtore dhe sa politikat do të ofrojnë kushte për punë produktive për këta njerëz. Asnjë vend i rajonit nuk ka jetëgjatësi më të lartë se Shqipëria. Humbja neto e popullsisë nga emigracioni është 477 mijë persona, mesatarisht 45 mijë në vit. Humbja neto e femrave është më e madhe se e meshkujve: 245 mijë femra kundrejt 231 meshkujve. Numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë, të ikur gjatë dy dekadave të shkuara është 1 milion. Shqiptarët janë popullsia e 6-të e huaj në BE. Sipas Eurostat në vitin 2011, 480.8 mijë persona jetonin në Itali, 482.6 mijë në Greqi, 10.5 mijë në Gjermani, 10.5 mijë në Mbretërinë e Bashkuar, 5.2 mijë në Belgjikë, 5 mijë në Francë, 1.6 mijë në Spanjë, 1,5 mijë në Austri. Sipas Censusit, 86.4 mijë emigrantë u kthyen në vend deri në vitin 2011 dhe prirja është në rritje për shkak të krizës ekonomike në BE.

Statistika

“Të papunë” dhe “jo aktivë”

Sipas Censusit, në 1 tetor 2011 nga 2.221.572 vendbanues të zakonshëm, të moshës 15 vjeç e lart, 667.950 ishin të punësuar, 280.305 ishin punëkërkues të papunë dhe 1.263.317 ishin ekonomikisht jo aktivë, ndërsa në prill të vitit 2001, nga 2.170.437 vendbanues të zakonshëm në Shqipëri të moshës 15 vjeç e lart, 1.041.775 ishin të punësuar, 305.506 ishin të papunë, dhe 823.156 ishin ekonomikisht jo aktivë. Sipas të dhënave të punësimit nga censuset 2001 dhe 2011, shkalla e papunësisë në vend nga 22,7% që ishte në vitin 2001 shkoi në 29,3%në 2011.

Rënia - Nëse popullsia do të vazhdojë të ulet me këto ritme, në dy dekadat e ardhshme ajo parashikohet të arrijë rreth 2.5 milionë banorë.

Familja - Madhësia e familjeve u ul nga 4.7 në 3.9 anëtarë. Kjo sugjeron që në të ardhmen të planifikohen hapësira më të vogla për strehim.

Forcat e punës

Llogariteshin si të punësuar ata që punonin kopshtin e tyre

Papunësia 29.4%, ja pse përmbysen shifrat zyrtare

Analiza e të dhënave mes dy censusve tregon një rritje të papunësisë nga 22.8 për qind në 29.4 për qind, në 2011, (popullsia e moshës 15 deri 64 vjeç). Rritja nuk është ndikuar nga rritja e numrit të papunëve, por nga rënia e përgjithshme e punësimit. Shkalla e papunësisë në qytete nuk ka ndryshuar 31%, por është rritur në zonën rurale nga 15.8% në vitin 2001, në 27% në vitin 2011. Ka ndodhur ndërkohë një zhvendosje në statusin nga “të punësuar” në “inaktivë”. Shkalla e papunësisë është më e lartë te të rinjtë (15 deri 24 vjeç) me 52.9%, nga 35.5% që ishte në vitin 2001. Papunësia më e lartë rezulton në Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Dibër. Në këtë census për herë të parë nuk u matën si të punësuar fshatarët që punojnë fermën për vetëkonsum. INSTAT i merr të dhënat nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe i publikon çdo 3 muaj, për rrjedhojë ndryshimi është i madh. Për këtë periudhë, Shqipëria pretendonte se e kishte papunësinë 13 për qind. Lidhur me mënyrën e shkuarjes në punë, 50,2%e të punësuarve të cilët kanë një vend fiks pune larg shtëpisë së tyre, brenda territorit të Shqipërisë shkojnë në punë në këmbë; 22,7% udhëtojnë me makinë private(ose si shoferë 16,8% ose si pasagjerë 5,9%); dhe 18,7% përdorin autobusin; ndërsa të gjithë përqindjet e mjeteve të tjera janë mjaft të ulëta. 21% e ndërveprimeve ditore hapësinore në lidhje me lëvizjet vajtje-ardhje nga shtëpia për në punë, zhvillohen jashtë bashkisë\komunës së vendbanimit të zakonshëm kundrejt 79% të tyre që zhvillohen brenda të njëjtës bashki\komunë. Ndryshimi midis të punësuarve që vijnë për të punuar çdo ditë në Tiranë dhe të atyre që dalin nga Tirana është një fluks pozitiv neto prej 25 mijë individësh.

Në vitin 2031, në Tiranë do të jetojë 35 për qind e popullsisë

Tirana vazhdon të mbetet qarku më tërheqës i emigrantëve të brendshëm dhe në fund të vitit 2031 mendohet se mbi 35% e popullsisë do të jetojë aty. Raporti gjinor në lindje vazhdon të jetë i lartë 109 djem për 100 vajza, nga 105 që është norma biologjike natyrore.Rezulton se ka 16,8 për qind më shumë ndërtesa dhe 28,9% më shumë banesa sesa në vitin 2001. Në vitin 2011, numri mesatar i banesave për ndërtesa është 1,7 kundrejt 1,5 që ishte në vitin 2001. Në vitin 2011 ka 4,3 herë më pak banesa pa asnjë lloj sistemi të furnizimit me ujë ndërsa është rritur me 40,7 % numri i banesave më furnizim me ujë brenda.

Mirëqenia

Familjet kanë më 2 herë më tepër lavatriçe

Sipas të dhënave nga Censusi i vitit 2011, familjet shqiptare kanë dy herë më shumë makina larëse, 9,4 herë më shumë soba me mikrovalë, 8,5 herë më shumë kondicionerë, 14,2 herë më shumë kompjuterë dhe 3,1 herë më shumë makina sesa në matjen e Censusit të vitit 2001. Një gjetje tjetër e Censusit të vitit 2011, rezulton se vetëm 18,5 % e familjeve shqiptare kanë dekoder, si dhe vetëm 2,7% e tyre kanë panel diellor. Ndërsa, rezulton se vetëm 12,3% e familjeve shqiptare kanë shërbim internet në banesë. Ndërkohë, 86,8% e familjeve kanë të paktën një anëtar që zotëron telefon celular.

0 σχόλια:

Post a Comment