Flying Angel Heart

5.26.2014

Ministri Tahiri: Futemi në Lazarat pa dhunë, por me forcën e shtetit

 

 

 

 

Në kulmin e akuzave të opozitës për lidhje me trafikun e drogës, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ftuar në emisionin Top Story me gazetarin Sokol Balla në takimin e kësaj të enjteje, deklaroi se po përgatitet ndërhyrja në Lazarat në koordinim me institucionet e tjera.
Ai tha se ndërhyrja nuk do të jetë e dhunshme, por as nuk do t’i mungojë elementi i forcës së shtetit, ndërsa duke u ndaluar tek trafiku i drogës nga ajri, shtoi se ka hetime që mund të provojnë se ky aktivitet është zhvilluar në Shqipëri para marrjes së pushtetit nga mazhoranca e majtë.
Sa i përket akuzave të opozitës adresuar personalisht atij dhe Kryeministrit Rama, z.Tahiri i cilësoi ato si mediokre dhe të nxitura nga  frika që ka kapur elementët e opozitës për llogaridhënien që do të japin për të gjitha aferat e tyre gjatë qeverisjes, ndërsa duke komentuar protestën dhe grevën e urisë, shtoi se Policia do të garantojë zhvillimin e qetë të tyre dhe do t’u qendrojë larg provokimeve.
Si i komentoni akuzat e opozitës?
Dimensioni i akuzave të opozitës ka kaluar çdo limit të logjikës, duke u kthyer në mediokritet. Parlamenti, fatkeqësisht sot është në krizë nga pikëpamja e debatit të shëndoshë për të mirën e qytetarëve. Nuk ka 10 ditë që opozita merret me këtë punë, por që kur unë kam marrë detyrën, duke sulmuar Policinë e Shtetit. Sulmi i opozitës ndaj policisë nuk është i rastësishëm. Përfaqësuesit e opozitës për zullumet e tyre do të japin llogari si çdo qytetar tjetër, prandaj kanë zgjedhur të bëjnë këto sulme.
Dikur ju protestuat në bulevard me një grevë disaditore. Sot janë disa ish-të punësuar në administratë, që kanë qenë pjesë e protestave tuaja. Por ajo që nuk shkon është që policët të përplasen me protestuesit, tani që ata kanë drejtues të rinj. Besoj se këtë duhet ta kishit shmangur, apo jo?
Nuk ka pasur asnjë përplasje. U gjendëm përpara një paligjshmërie. Disa njerëz, me pretekstin se do të bënin një grevë, kishin marrë me vete rroba e çadra. Policia ka hasur në kundërshtimin e dhunshëm nga disa persona, për të cilët kemi nisur hetimin. Nuk gjej vend për krahasimin e kësaj greve me atë të PS vite më parë. Ata që janë në grevë janë biznesmenë. Disa janë eksponentë të PD, etj. Kjo grevë nuk ka kauzë reale për të protestuar ndaj qeverisë.
Megjithatë, nesër ka një protestë opozita lidhur me trafikun e supozuar të drogës. S’besoj t’ju shoh në tarracën e kryeministrisë...
Përtej batutës tuaj, nuk jam njeriu që rri në zyrë duarkryq dhe që lë punën të më ikë. Jam pranë bashkëpunëtorëve të mi. Por ajo që ka rëndësi është se protestat e opozitës sot nuk ndeshen me dhunën e atëhershme, që çonte edhe në ekzekutimin e qytetarëve. Kush mund të besojë sot se Edi Rama dhe Saimir Tahiri drejtojnë trafikun e drogës, kur po kapet më shumë drogë? Po protestojnë njerëz me preçedentë penalë, që deri dje kishin qenë në radhët e policisë dhe që ndihmonin trafikun e drogës. Kjo nuk është kauza e shqiptarëve. Është një protestë pa motiv.
Motiv ka, sepse deri diku opozita nuk ka faj. Sidomos pas ngjarjes së Divjakës. Pas akuzave disamujore kjo ngjarje jep një motiv. A i druheni dhunës nesër në protestë?
Aspak. Policia do bëjë detyrën, do zbatojë ligjin.
Pra, do të ketë edhe dhunë?
Mos ngatërroni atë që thashë dhe mos e ngatërroni me atë që ndodhi më 21 janar. Ata qytetarë u vranë jashtë rrethit të Kryeministrisë dhe njëherë u tha se ishin vrarë me stilolapsa, njëherë sepse kishin armë, etj. Ne jemi të vendosur të zbatojmë ligjin ndaj cilitdo.
Në thelb është ngjarja e Divjakës, që ka interes të madh. Ndërkohë që në këto momente mediat flasin për një sasi të madhe kokaine (rreth 90 kg kokainë të sekuestruar në Ekuador) dhe ata që e kapën thanë se droga do hynte në Shqipëri. Kjo është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndë. Ju keni dijeni?
Ju e thatë dhe vetë, drogë e kapur në Ekuador, që sipas mediave ka destinacion Shqipërinë. Ne kemi kontaktuar autoritetet përkatëse, policët shqiptarë kanë lidhur mekanizmat e hetimit dhe bashkëpunimi që kemi me policitë ndërkombëtare bën që të arrihet rezultat. Për momentin nuk mund të them shumë. Kur kam marrë detyrën, nuk ka mbetur partner ndërkombëtar pa më folur për mungesën e besimit që kishin ndaj policisë shqiptare, për shkak të dekonspirimeve. Sot është një situatë tjetër. Çdo kilogram drogë që kapet vjen si pasojë e punës së policisë shqiptare, bashkë me ndërkombëtarët. Në janar, shkurt e mars janë kapur 3 tonë drogë më shumë nga sa janë kapur nga qeveria Berisha në 10 muaj.
Nga ngjarja e asaj të shtune, jeni i mendimit se ishte sukses i policisë?
Absolutisht po. Si në këtë rast ashtu edhe në atë të eksplozivit, deklaratat e opozitës kanë paralajmëruar atë që ka ndodhur.
Kjo është një akuzë e rëndë! Sidomos për ju që jeni ministër.
Në cilësinë e detyrës që mbaj, bëj konstatimin që e bëjnë gjithë qytetarët. Eksplozivi filloi me një shtyllë të tensionit të lartë. Ishte diçka qartësisht politike. Pastaj ishte zullumi i opozitës që pompoi jashtë çdo logjike atë që ndodhi. Unë nuk po them apo akuzoj kërkënd, por nuk mund të mos vë në dukje se opozita e tha atë që ndodhi. Sa për Divjakën, kjo s’ka sens që të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme. Sepse policia lufton ditë për ditë me trafikun e drogës.
Po thoni që ishte operacion i mirëfilltë?
Po. Ngjarja e Divjakës hyn tek operacionet e mirëfillta, sepse u mbyll me sukses.
Ideja juaj konspirative me opozitën, mund ta marrë sëriozisht ish-kryeministri Berisha, përmes deklaratave që bën në Facebook. Prandaj, nëse nuk do ishte thyer rrota e avionit, a do ta kishit bllokuar këtë trafik droge?
Policia kishte shtuar nivelin e alertit në atë zonë sepse kishte informacione për përdorimin për trafik droge. Prandaj u bë një regjim i shtrënguar. Policia kishte informacion dhe kishte patrulla të dukshme për këtë shkak. Nëse policia po priste avionin, këtë nuk mund ta them, sepse ishte e paimagjinueshme që në mes të ditës në bregdet të ulej një avion. Megjithatë, unë besoj se në çdo rast avioni nuk do të ngrihej sërish.
Megjithatë, nëse kishte patrulla në disa kilometra, ato makina me drogë duhet të ishin kapur, apo jo?
Mos mendoni se policia kontrollon çdo makinë apo njeri. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Ka gazetarë që kanë raportuar për këtë çështje dhe dëshmitarë, të cilëve u është bërë presion. Nuk do bëhet drejtësi për ata?
Ajo që po ndodh sot është me efekt negativ për brezat, sepse po krijohet perceptimi se përgjegjësinë për sigurinë në këtë vend e ka vetëm policia. Opozita po e thekson këtë handikap, duke zgjuar mosbesimin tek Policia e Shtetit. Forcat e policisë nëpër botë kthehen në heronj, ndërsa opozita këtu i sulmon.
Por kemi raste konkrete të gazetarëve dhe dëshmitarëve që thonë se janë kërcënuar me jetë...
Këta njerëz nuk kanë bërë denoncimin në polici. Një rast është ai i dhunimit të gazetarit të Top Channel pak vite më parë, ku personi që e sulmoi ishte i lidhur me partinë në pushtet dhe nuk i ndodhi asgjë. Rasti i dytë është ai i gazetarit që thotë se iu hodh një kokë dhie e prerë. Ne e kemi ftuar atë të bëjë denoncimin në polici, të na vinte në provë, por ai nuk e ka bërë këtë. Dhe kam frikë se është një rast i keqpërdorur.
Drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit dha një version tjetër të rrëzimit të avionit të Divjakës.
Sokol Balla: Sinjalizimi i parë ka qenë për aksident ajror. Tani njëra është mes këtyre dyjave, ose ka qenë operacion shpëtimi, ose operacion antidrogë..
Saimir Tahiri:
Policia mbi bazën e informacioneve të veta priste një trafik të mundshëm droge. Nuk prisnim avionë dhe në momentin e përballjes së parë të punonjësit të policisë me pilotin e avionit, lindi dyshimi që avioni të ishte i lidhur me ngjarjen kriminale. Kur u gjet, piloti filloi të japë një justifikim jo fort të arsyeshëm. Deklaratat e tij ishin jo fort të besueshme dhe kur u gjet lënda narkotike u hodh supozimi më i arsyeshëm që edhe makina me lëndë narkotike dhe avioni kanë lidhje. Unë këtë e kam deklaruar në konferencën për shtyp, që janë gjetur një avion dhe pak më tutje një makinë me drogë. Unë nuk mund të them pas 1 orë që avioni ka lidhje me makinën me drogë pa patur hetime, të paktën pa patur hetime paraprake.
Sokol Balla: Përse flitet për një person të tretë?
Saimir Tahiri:
Nuk mund të flas për këtë. Vazhdojnë hetimet. Avioni nuk kishte drogë kjo është e sigurtë, ashtu sic është e sigurtë që nuk është i lidhur me Kryeministrin, as me Ministrin dhe as me Policinë e Shtetit.
Sokol Balla: Sot Berisha tha që Riformato ka hyrë disa herë në Shqipëri…
Saimir Tahiri:
Unë nuk kam informacion. Kjo është nën hetim dhe unë nuk kam dëshirë që të merrem me hetimin, as më takon të merrem me këtë hetim. Ka një akuzë sikur piloti nuk është regjistruar në sistemin TIMS. Ne mund të shkojmë në Rinas dhe të shohim që askush prej pilotëve nuk regjistrohen në bazë të një konvente ndërkombëtare ku drejtuesit e avionëve hyjnë me një leje të posaçme dhe nuk hyn si gjithë të tjerët në sistem.
Sokol Balla: Riformato kishte probleme në Itali dhe ai nuk mund të merrte pasagjerë. Mund t’i jepte avionit, por si privat. Pra në momentin që ulte avionin, ai duhet të hynte në vend si një njeri normal, duke u kontrolluar. Pse avicioni civil shqiptar i ka dhënë këtij personi një licensë piloti?
Saimir Tahiri:
Nuk e pajisim ne. Këtë kërkojani autoriteteve italiane që e kanë licensuar. Autoritetet shqiptare nuk mund të vënë në dyshim vendimet e autoriteteve italiane. Kemi të bëjmë me një aktivitet kriminal ku puna e gjithë institucioneve funksiononte normal dhe të dëgjosh opozitën që institucuionet shtetërore janë të përfshira në trafik droge në pamje të parë të bën të qeshësh, por më pas kur dëgjon lumin e akuzave të tilla….Nëse Kryeministri dhe Ministri do të ishin të përfshirë në trafik droge, pse duhej ta ulnin avionin në Divjakë?! Avioni në rinas ishte. E mbushnim aty dhe ikte. Shteti shqiptar ka mekanizma që funksionojnë në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin. Kanë ikur kohërat kur institucionet dështuan të parandalonin sipërmarrjen kriminale.
Sokol Balla: A jeni i sigurtë që ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në të shkuarën?
Saimir Tahiri:
Ju siguroj që në dijeninë ime që nga momenti që kam marrë detyrën, fenomene të tilla nuk na kanë dalë përpara në veprimtarinë tonë policore, përfshirë këtu edhe informacionin.
Sokol Balla: Nuk mendoni që betonimi i pistave ushtarake lind një farë dyshimi ose pranimi se është kryer ky aktivitet?
Saimir Tahiri:
Nuk besoj që është shenjë e dyshimit ose e parandalimit mbi bazën e fakteve të ndodhura gjatë kohës që jemi në detyrë, por mund t’u them me bindje që mbi bazën e asaj që kemi gjetur dhe bazuar mbi fakte që duhen marrë në konsideratë dhe që përbëjnë të dhëna jo të pakta hetimore, ma do mendja që ju dhe publiku do të keni rastin të shikoni gjëra që kanë ndodhur para se ta merrnim ne detyrën dhe që janë të denja për të ngritur nivelin e alarmit institucional për këtë cështje.
Sokol Balla: Ka hetime që ka ndodhur në të shkuarën?
Saimir Tahiri:
Jemi në punë e sipër dhe për shkak të detyrës nuk mund të flas shumë, por di të them që shpresojmë nga hetimet të arrijmë në hetimet paraprake që të dhënat të mund të na e thonë.
Sokol Balla: Ka patur para apo pas marrjes tuaj në detyrë?
Saimir Tahiri:
Para se të merrja unë detyrën.

Sokol Balla: Menjëherë pas rastit të avionit të Divjakës, ju shkarkuar shefin e Anti-drogës, pranuat ngjarjen?
Saimir Tahiri:
S’ka asnjë të vërtetë. Është një makineri propagande. Zotëria doli vetë dhe deklaroi publikisht që s’e lënë rehat as mediat. Zoti Selfollari është ende në punë, jo në atë detyrë, por në një detyrë tjetër. Ka paraqityur një kërkesë për t’u transferuar rreth 2 muaj përpara. Procedura zgjat në të tilla raste zgjat 45 ditë, por për shkak të komisionit hetimor procedura zgjati më shumë.
Sokol Balla: U fol për dorëheqjen tuaj. Përtej kësaj, akuzat e opozitës apo rastësisë së Divjakës, e keni menduar në ndonjë moment dorëheqjen?
Saimir Tahiri:
Nëse do të ma lejosh do shkoj përtej përgjigjes formale. Shkurt jo! S’më ka shkuar asnjë sekondë ndërmend. Nuk tërhiqehm përpara sfidave. Nuk mund të them që e kam përjetuar lehtë gjithë këtë situatë ku kam shpresuar që puna e policisë do ishte motiv për të bashkuar sa më shumë njerëz dhe jo motiv për të ndarë njerëzit. Kam marrë detyrën me bindjen që është e vështirë, përsa kohë e di që do bësh armiq. E them me shumë bindje që pavarësisht nisjes së vështirë, pavarësisht faktit që e nisëm me shumë vrull dhe vazhdojmë me më shumë vrull, unë besoj sot jam shumë komod në cdo orë dhe minutë pune që bëj së bashku me kolegë të mi dhe gjithë nejrëzit që më gjenden pranë.
Sokol Balla: Sa i sigurtë që nuk do të përsëritet një rast i Divjakës? Sa të sigurta janë autoritetet shqiptare? A do të ishe sërish i paprekshëm?
Saimir Tahiri:
Në shtator të 2013 në Paris, një ndër aeroportet më të mëdhenj të Europës, u ul një avion i Air France, linja e flamurit, linja shtetërore me një ngarkesë prej 1.3 ton kokainë. Në atë kohë në atë vend nuk akuzoi njeri Ministrin e Brendshëm për përfshirje në trafikun e drogës sepse po të ndodhte i bie që të ishte lordi i drogës, ndërkohë që me standardin e këtushëm logjika shkon deri në absurd duke përbaltur politika dhe të detyrojë qytetarët të dëgjojnë gjëra nga më monstruoze për përfaqësuesit e vet. Sa siguri kemi për të tilla ngajrje? Është një debat real sic është real debati për lëndët narkotike, sigurinë në vend dhe sa të përgatitur për të ndarë përgjegjësitë e përbashkëta për sigurinë në vend. Policia kapi 1.7 ton drogë dhe nuk thoshte njeri bravo. Përsa kohë guximi i krimit është aty ende sot, ajo që mund të garantoj është që policia do të jetë aty për ta luftuar.
Sokol Balla: Një ndër akuzat është që ju keni ripunësuar disa persona të inkriminuar në aktivitete kriminale, përfshirë narkotrafikun që janë shkarkuar nga ministri i fundit socialist në 2005…
Saimir Tahiri:
Nëse në punësimet që janë bërë ka punonjës që kanë rekorde kriminale, më thoni emrat sot dhe nesër nuk janë më në punë. Në dosjet që ka administruar Policia e Shtetit kur janë punësuar, askush nuk ka rekorde kriminale, asnjë emër. Të më thonë qytetarët një punonjës të vetëm të policisë që ka rekorde kriminale dhe ai menjëherë do të shkarkohet dhe do të procedohet. Mos prisni që policia t’u thotë qytetarëve, rrini të qetë se nuk ka gjë. Unë sot u them qytetarëve ngrini alarmin së bashku me policinë.
Sokol Balla: Lazarati mbjell drogë, çfarë do bëni?
Saimir Tahiri:
Kur kam marrë detyrën kam gjetur një raport të partnerëve italianë që pas një fluturimi me avion kanë gjetur parcelat e drogës në vend. Qeveira e kaluar pa asnjë ekzagjerim e la vendin të mbytur në parcela kanabisi. Ato harta fotografike me vende e sakta, për të shkulur rrënjët nuk i përdori qeveria e këtij zotërisë që sot do të protestojë. Nuk e di për cfarë i ka përdorur këto foto, ndoshta dhe për gjobëvënie. Ne po ndalojmë kanabisin që nuk është mbjellë në kohën tonë. Në prill kemi kapur 400 përqind më shumë kanabis krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 16 herë më shumë heroinë dhe janë 3 ton më shumë drogë të kapur në 3 muaj qeverisje në krahasim me 10 muaj të qeverisjes së kaluar. Kam kërkuar nga partnerët italianë që ky mision të përsëritet dhe besoj që do të përsëritet dhe do të na shërbejë më shumë për të vënë gishtin tek parcelat e atyre që mund t’u shkojë ndërmend të mbjellin drogë. Po shohim mundësinë që aty ku lidhet pronari i pronës ku mbillet drogë ta zhveshim nga përgjegjësia e zotërimit të pronës personin që mbjell, por kjo është e vështirë nga pikëpamja ligjore. Lazarati nuk është dicka e re dhe nuk ka gjetur asnjë nga ne pa përgatitur.
Sokol Balla: Jemi në emergjencë. Keni kapur dhjetra ton në një javë, A jeni dakort që ka një emergjencë?
Saimir Tahiri:
Për ne është një cështje alarmante dhe për partnerët. Lazarati nuk është një fshat që duhet damkosur si një fshat kriminal të gjithin. Ka njerëz të ndershëm në atë vend dhe njerëz që s’e meritojnë damkën e trafikantëve. Mund t’u siguroj që mbase jo në ato përmasa, por nga një minizonë e tillë ekziston që nga Tropoja deri në Sarandë. Nëse prisni prej meje përgjigjen a do hyni në Lazarat, unë mund t’u them që nuk është vendim i lehtë për cilindo që të marrë barrën dhe të firmosë një urdhër që mund të ketë pasoja fatale. Elementët kriminalë dhe të gatshëm të mbrojnë një sipërmarrje kriminale atje nuk janë të pakta. Mjafton të përmend rastin e ndalimi të një makine që vetëm sa i përkiste një lordi të Lazaratit dhe ndaj komisariatit të policisë në Gjirokastër u qëllua me armë. Unë ju garantoj që kjo nuk do të ndodhë më. Kemi një plan së bashku me Prokurorinë, SHISH. Kemi një bazë të dhënash të mirë për të garantuar që në të gjitha rastet ndërhyrja në Lazarat të jetë efektive. Ndërhyrja nuk do të jetë luftë, do ketë elementë force. Zgjidhja për Lazaratin na takon të gjithëve. Shtatori  nuk do gjejë Shqipërinë me situatën që gjetëm sa i përket trafikut dhe mbjelljës së lëndëve narkotike.
Sokol Balla: Po thoni që deri në shtator shteti do të ndërhyjë në Lazarat?
Saimir Tahiri:
Nuk do të ndodhë më ajo që ka ndodhur dhe do shfrytëzohet cdo mjet i shtetit shqiptar.
Sokol Balla: Nëse kjo nuk ndodh deri në shtator?
Saimir Tahiri:
Do ketë lëndë narkotike, por nuk do të lejojmë situatën që gjetëm në shtator të vitit të kaluar. Kjo është një betejë që nuk mbaron kurrë. Është një betejë që do marrë kohë dhe energji pa fund. Por të jeni të sigurtë që nuk do të ketë mbrojtje nga shteti, por shteti do ta luftojë atë.

0 σχόλια:

Post a Comment