Flying Angel Heart

5.24.2014

Vajza e zhdukur, mbushi 18 vjeç dhe iku në Greqi me një djalë nga Berati

 

Policia e Lushnjës thotë se adoleshentja ka kaluar kufirin ditën e arratisjes

Vajza e klasës së 11 nga Karbunara e Lushnjës, e cila u denoncua si e zhdukur prej prindërve të saj mbrëmjen e së mërkurës, duket se e ka planifikuar mirë arratinë e saj kohë më parë. Këto dyshime janë ngritur pas verifikimit të bërë në sistemin TIMS, nga ku ka rezultuar se ajo është larguar drejt Greqisë së bashku me një djalë nga Berati, që mendohet të ketë lidhje dashurore me të. Kjo, pasi ajo është larguar pa lënë asnjë lajmërim në banesën e saj, duke u drejtuar jashtë kufijve të Shqipërisë, vetëm pak ditë pasi kishe mbushur 18 vjeçe. Për shkak se tashmë nuk është më e mitur, policia kufitare e Kakavijës e ka lejuar të vazhdojë udhëtimin drejt Greqisë së bashku me të riun nga Berati që ajo kishte në krah. Por, ndërsa dihet që e reja M.U., nga Karbunara e Lushnjës, ka shkelur në tokën greke pasditen e së martës, nuk ka ndonjë informacion për destinacionin e saj apo të personit nga Berati që ka qenë duke e shoqëruar. Gjithashtu nuk dihen qëllimet e udhëtimit të saj jashtë shtetit, që e ka ndërmarrë pa u dhënë asnjë shpjegim familjarëve. Ndërkohë, mësohet se ka nisur procedimi për ngjarjen në fjalë për trafikim të mundshëm të së resë, me qëllim shfrytëzimin e saj. Kjo, pasi nga informacione të marra në rrugë operative janë ngritur dyshimet se shoqëruesi i 18-vjeçares ka si qëllim shfrytëzimin e saj për prostituim. Por, policia nuk ka përjashtuar as mundësinë se ajo mund të jetë larguar për në Greqi me të riun nga Berati për të jetuar e punuar në shtetin fqinj, ashtu si gjithë emigrantët e tjerë. Mbrëmjen e së mërkurës, babai i 18-vjeçares ka denoncuar në Policinë e Lushnjës zhdukjen e së bijës. Sipas deklarimeve të tij, 18-vjeçarja, ashtu si çdo ditë, ishte larguar për në shkollë në orën 07:00 të mëngjesit të së martës, por nuk ishte kthyer më në banesë.

0 σχόλια:

Post a Comment