Flying Angel Heart

5.31.2013

Roshi: Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter. “Do t’ia çoj Kryeministrit Berisha dhe do t’ia lë para derës së Partisë Demokratike”

Flet Elvis Roshi, kryebashkiaku i Kavajës

Roshi: Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter. “Do t’ia çoj Kryeministrit Berisha dhe do
t’ia lë para derës së Partisë Demokratike”

Monumenti simbol i “dy gishtave” kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 mars 1990 në Kavajë, do të hiqet nga qendra e këtij qyteti. Pas deklarimeve të liderit socialist, Edi Rama, në një vizitë elektorale në Kavajë, se ky bust do t’i sillet Kryeministrit në Tiranë, konfirmimi vjen nga vetë kryebashkiaku i qytetit, Elvis Roshi. Duke folur për gazetën “Panorama”, ai jo vetëm që mbështet deklaratën e Ramës, por edhe shpjegon mekanizmin e heqjes së monumentit, si dhe ndryshimet e tjera të pritshme në Kavajë…

Rama dhe Roshi në Kavajë

Gjatë vizitës elektorale në Kavajë, z. Edi Rama foli për ndryshime që kanë të bëjnë me qendrën dhe sheshin e Kavajës. Cilat janë këto ndryshime?
Ndryshimi në sheshin e Kavajës fillon që nga heqja e monumentit me dy gishtat lart. Do t’ia ngrej me helikopter “dy gishtat” dhe do t’ia lë Sali Berishës para Partisë Demokratike. Sepse ai është sheshi i qytetarëve dhe i besimtarëve të Kavajës. Kavaja është për kavajasit dhe jo për Sali Berishën. Se Berisha ka 22 vjet që grabit Kavajën dhe i mashtron qytetarët e saj. Ndërkohë që Kavaja e mbajti me bukë, Berisha u tregua bukëshkalë. Nuk i dha asgjë Kavajës, por vetëm i mori dhe i mori ndër vite. Kavaja tani është rozë, fund e krye.
Ky monument, a nuk është simbol i demokracisë në Kavajë?
Monumenti është simbol i demokracisë, por që fatkeqësisht Berisha është tallur me këtë simbol 22 vjet. Kështu që do t’i marrim ato “dy gishta” që i kanë mbetur Berishës në Kavajë dhe t’ia çojmë me helikopter para derës së partisë.
Po helikopterin ku do ta gjeni?
Helikopterin do ta marr me qira, me lekët e xhepit tim. I ka hallall.

Monumenti me “dy gishta”, simbol i demokracisë në Kavajë

Po me pjesën tjetër të monumentit, çfarë do ta bëni?
Do ta bëjmë copa-copa… Kavaja do t’u kthehet kavajasve.
Çfarë do të vihet në vend të këtij monumenti?
Në vend të dy gishtave, do të vëmë një shatërvan spektakolar. Sheshi dhe qendra e Kavajës do të shndërrohen ndër më të bukurat në Europë, ndërsa aktualisht Bashkia e Kavajës është bërë si Shtëpia e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për detaje mund të shikoni projektet gjigande, të cilat tashmë janë edhe në internet.
Sa është kostoja e ndryshimit për qendrën dhe sheshin e Kavajës?
Qendra dhe xhamia kushtojnë në total rreth 7 milionë euro. Sakaq, kemi edhe projektin e stadiumit me parametra europianë, tejet modern, që do të zërë 13 mijë tifozë. Kostoja e stadiumit është diku te 9-10 milionë euro.
I keni fondet për realizimin konkret të këtyre projekteve?
Projektet janë, por realizimi i tyre mbetet pas 23 qershorit. Fondet për ndërtimin e tyre do t’i sjellë deputeti ynë i fitores, Parid Cara. Ky është djali kavajas që do të ngrejë zërin në Parlament për qytetarët e Kavajës. I vetmi. Unë i ka kërkuar dy herë takim Berishës për problemet e fondet për Kavajën dhe nuk më ka pritur.

0 σχόλια:

Post a Comment