Flying Angel Heart

7.18.2013

Burgu i Spacit tragjedia e vendit , si u përjetua vdekja e Enverit, ngritëm dolli me qumësht”

 

 

Agim Akcani duke treguar dokumentin e sigurimeve shoqërore që nuk i njihen vitet e burgut si vite pune.

Flet Agim Akcani, ish-i dënuar në vitin 1975 me 21 vite burg politik.
“Pas (vetë) vrasjes së Mehmet Shehut sikur ra egërsia në burgjet shqiptare dhe perdja e rëndë e regjimit”
Ish-i burgosuri politik flet për lirimin e papritur dhe peripecitë sot.
“Punova 12 vjet në Spaç, por nuk e vërtetoj dot”
Akcani mbetet pa pension: Si ish-të burgosur politikë nuk kemi libreza pune, evidencat janë zhdukur.

Agim Akcani para burgimit

Agim Akcani ka mbushur moshën e pensionit, ndërsa 12 nga vitet e punës i ka në minierën e Spaçit si ish-burgosur politik. Me ligj, vitet e minierës numërohen si të dyfishta. Por Agim Akcani rrezikon të mbetet pa pension fare…
Ky person është njëri nga grupi i famshëm i ashtëquajtur “sabotatorët e Baldushkut”, në vitin 1975. Siç konkluduan hetuesit e çështjes, Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Bashkim Allmuça, Agim Akçani, Emine Shima, Nadire Shima dhe Latif Daja, morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor, si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë. Të gjitha akuzat u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Pas hetimeve të nisura më 10 nëntor 1975 për ngordhjen e lopëve, u publikua akt-akuza e formuluar më 7 dhjetor 1976 mbi grupin e arrestuar, u dhanë dy pushkatime (Rifat Daja dhe Nuri Allmuça) dhe 115 vite burg gjithsej për gjashtë të tjerët. Vetë Agim Akcani ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg dhe aktualisht është ndër 3 të mbijetuarit e terrorit në Baldushk. Dhe pavarësisht gjithë kësaj tragjedie, përndjekja vijon. Kësaj here me pleqërinë e tij. Kërkon të dalë në pension dhe nuk del dot. Në plotësimin e dokumentacionit për Agimin nuk pati asnjë problem, duke numëruar, sipas dëshmisë së tij penale edhe vitet e gjata të burgut. Mbetej edhe një formalitet i thjeshtë, por me rëndësi vendimtare: Një vërtetim, që z. Akcani ka punuar në kampin e minierës së Spaçit. Ajo që dukej krejt e lehtë, ishte veçse fillimi i një kalvari burokratik nëpër arkiva të ndryshme të burgjeve, gjykatave, arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, arkivit të Institutit të Integrimit të të burgosurve politikë. Edhe pas një viti rrekjesh, edhe pas një viti përvoje kërkimesh, Agim Hakcani nuk e ka gjetur dot një vërtetim të thjeshtë, ku të shkruhet se ai ka punuar me radhë në burgun e Spaçit! Në atë burg ku nuk lejohej kthimi në kapanon, pa realizuar në 8 orë normën e nxjerrjes së 4 vagonave me mineral, ku një vagon mbante 1 ton. Aty në Spaç, ku brenda galerisë së minierës ishte 40 gradë, ndërsa kur dilje jashtë ishte minus 16 gradë. Por problemi i pleqërimit me atë çfarë i takon nuk është vetëm i Agim Akcanit, por edhe i qindra ish-të burgosurve politikë. Derisa të kalojmë te kjo histori e fundit, t’ia nisim aty ku e lamë rrëfimin e tij numrin e kaluar; jeta në burg, lirimi dhe çfarë ndodhi më pas….
Parashikuat fundin e disa ish-funksionarëve të lartë, po ngritjen e Ramiz Alisë, e parashikuat?
Jo, se shumica e të burgosurve politikë nuk shpresonte te ky njeri, dikush mendonte se mund të bëhej Gorbaçov, por veprat e tij të fundit ishin vetë dora e Ramiz Alisë.
A përdornit pseudonime për ish-byroistët?
U thirrnim në emër, sepse ne e kishim vrarë frikën që në hetuesi. Po ju tregoj një rast. Me autoburgun erdhi në kamp njëherë edhe nipi i Hysni Kapos, Alejdin quhej. Më kujtohet se i thamë “mirë se erdhe!”. Pastaj më thanë shokët: “Si i the atij mirëseerdhe?”. U përgjigja: “Sepse do të dalim bashkarisht… Sepse bisha po kafshon bishtin e vet”. Ai ishte djalë i mirë, u dënua me rreth 15 vjet më duket, por meqë vdiq Hysni Kapo, e nxorrën atë.  
Vdekja e Enverit ju gjeti në burg, si e përjetuat?
Fillimisht ne dëgjuam muzikë funebër në burg. Që aty e kuptuam që Enver Hoxha kishte vdekur, para se ta dëgjonim në lajme. “Paska marrë fund”, – bisedonim me njëri-tjetrin, por po prisnim lajmet. Kur zëri i spikerit konfirmoi vdekjen, nuk e di ç’të të them.
Kam qarë nga gëzimi. Ka qenë dita më e lumtur e jetës sime. Jo vetëm për mua, por edhe te të gjithë të burgosurit e tjerë. Na u hap shpresa.
U gëzuat demonstrativisht?
Deri diku. Mbaj mend si sot që kur u kthyem nga galeria, Bedri Blloshmi ka ngritur gotën me qumësht si dolli për vdekjen e Enver Hoxhës, krejt hapur dhe i ngazëllyer. “Gëzuar shokë!”, – tha dhe e piu me fund gjithë gëzim.
Po gardianët si u sollën atë ditë?
Si të hutuar e të çorientuar. Normal se u kishte vdekur babai shpirtëror i tyre. Atë ditë na kanë bërë kontrolle me imtësi në kapanone, kthyen gjithçka përmbys, por asnjeri nuk e kishte mendjen tek ata. E kam përjetuar njëlloj në lumturi si vdekjen e Enverit, si lirimin nga burgu.
Kur u liruat nga burgu?
Në vitin 1987.
I bie që keni bërë 12 vite burg, sikur u dënuat me 21 vite?
Pas vrasjes së Mehmet Shehut sikur ra egërsia deri diku në burgjet shqiptare, sikur ra paksa perdja e rëndë e regjimit. Edhe takimet me familjarë ishin paksa të lira. Atë nënën tënde mund ta përqafoje paksa më shumë, edhe mund ta puthje. Që para vdekjes së Mehmet Shehut nuk lejohej. Po ashtu, ra presioni psikologjik. Aparati shtetëror nisi të firmoste dekrete faljeje a lirimi për disa të burgosur politikë. Por çudia më e madhe ishte se po liroheshin nga burgu personazhe të grupeve armiqësore më të famshme.
E prisnit lirimin?
Absolutisht jo. Që kur mora dënimin nuk e kam menduar lirimin. Mendoja se kishte dy rrugë që do më jepnin lirinë: rënia e regjimit ose vetë vdekja ime. Lirimi im ishte krejt i papritur. Po bënim apelin e mëngjesit dhe një kartelit thirri: “Agim Mehmet Akcani, me dekret të Presidiumit Popullor, lirohet.” E dëgjova dhe po rrija krejt i hutuar. Nuk po flisja dot. Që aty më nxorrën direkt jashtë kampit.
Nuk ju lanë të takonit shokët?
Jo, jo, më nxorrën menjëherë. Nuk më lanë të takoja e flisja me njeri. Më thanë që ke 500 lekë për të marrë te zyra e financës. Më dhanë ato lekë dhe dola në rrugë. Isha i trullosur. Nuk e besoja dot, më dukej si ëndërr. Nga Spaçi e deri në Rreps po ecja në këmbë. Disa shoferë me makinat e mëdha me minerale që kalonin andej, u ndalën për të më marrë, por unë nuk doja të ndaloja. Doja të ecja. Ah, sa shumë po më pëlqente të ecja. Pas shumë kilometrash më këmbë, më në fund hipa në makinë dhe erdha në Tiranë e shkova në shtëpi.
E dinin ndërkohë të shtëpisë që ishit liruar?
Jo, aspak. Personin e parë që takova në rrugë ishte një xhaxha. Ai, i çuditur nga pamja ime, u destabilizua. Mendonte se mos kisha ikur nga burgu, mos isha arratisur dhe rrinte si i ngrirë. Më tha: “Mirë që je liruar, por kur lirohesh nga burgu a të japin ndonjë letër a ndonjë gjë tjetër?” Po më thoshte si me lezet që t’i tregoja ndonjë dokument që isha liruar, se nuk e besonte. Natyrisht që të japin, është një letër lirimi nga burgut, e cila dorëzohet te drejtoria e Tiranës. “A e ke këtë letër?- më pyeti troç. “Po”, – i thashë dhe i tregova letrën. Xhaxhai e mori dhe lexoi letrën, por prapë nuk e besonte. Kujtonte se mos kisha ikur dhe letra ishte e sajuar. Pastaj shkova te familja. Ata tejet të entuziazmuar m’u hodhën në qafë.
A u persekutua familja juaj pas arrestimit?
Të jetoje në Baldushk kishe lindur i persekutuar. Familja ime nuk është se u dëmtua shumë. Natyrisht nuk u dhanë më ndonjë punë të hajrit, por nuk i ngacmuan rëndë. Sepse kishte diçka, ne ishim fis shumë i madh, me më shumë se 100 meshkuj, dhe i binte sikur të shpërngulje gati një fshat. Siç duket regjimi i bënte ndonjëherë edhe llogaritë, nuk i leverdiste, nuk i interesonte. Unë isha krijesë e sajuar e burgut dhe siç duket e lanë me aq.
Si rrodhi jeta juaj pas lirimit nga burgu?
U vendosa te familja ime dhe punova për një vit në Baldushk. Punova në kooperativë, punëtor i thjeshtë. E pashë qe jeta vijonte të rridhte njësoj siç e kisha lënë, por unë nuk isha më njësoj. Më dukej absurde mënyra si jetonin, verbëria e tyre.
Njerëzit zgjoheshin në mëngjes dhe lexonin gazetën e partisë… Megjithatë disa djem të rinj i pashë ndryshe. Kishin blerë ca radio “Fatosi” dhe i mbanin në dorë duke dëgjuar “pozdrave”. Unë fillimisht u thoja që të largoheshin nga unë, se më dukej sikur isha unë ai që po i instruktoja që ta çonin aty radion dhe s’doja t’i merrja më qafë. Pashë që diçka po ndryshonte… Megjithatë pastaj unë u largova nga Baldushku pas një vitit dhe vajta në minierën e Valiasit. U martova dhe më 2 korrik të vitit 1990 dhe u futa në ambasadën italiane. Ika dhe u vendosa në Bolonja të Italisë. Aty ia ndjeva frutet italishtes së mësuar nga At Zef Pëllumbi. Me vete sigurisht që mora edhe bashkëshorten, e pata në ambasadë. Në Itali na lindi edhe vajza jonë, që sot është 21 për 22 vjeçe. Në Itali kam jetuar deri në vitin 2000, pastaj jam kthyer në Shqipëri, ku jam punësuar pranë institutit të Informatikës.
Aktualisht jeni në pension?
Nuk jam në pension akoma, ndonëse e kam mbushur moshën për pension miniere, por kam probleme.
Çfarë problemesh?
Në vërtetimin e drejtorisë së kampe-burgjeve dhe në dëshminë e penalitetit nuk specifikohet puna ime si minator. Rezultoj si i burgosur politik, por jo puna ime nëpër galeri. Nuk arrij të vërtetoj se kam qenë në minierën e Spaçit. Sipas sigurimeve shoqërore unë duhet të vërtetoj me dokument zyrtar që kam qenë punëtor-minator në minierën e Spaçit. Këtë nuk ma jep as ministria e Drejtësisë, as e Punëve të Brendshme dhe as drejtoria e Kampeve dhe Burgjeve.
Derisa dispononi vërtetimet e viteve tuaja si i burgosur politik, pse nuk është e specifikuar edhe puna në minierë?
Ne si të burgosur politikë nuk kemi libreza pune, nuk jemi paguar ndonjëherë për punën në minierë. Nuk janë mbajtur evidenca ose janë zhdukur ato.
Pse do të duhej të zhdukeshin evidencat e punës?
Sepse me konventa ndërkombëtare, pjesë e së cilës u bë edhe Shqipëria e asaj kohe, i burgosuri politik nuk duhet të punonte. Ndaj siç duket regjimi i ka eliminuar këto evidenca, sepse ishte shkelje e konventës. Ndaj nuk na kanë regjistruar.
A nuk mund të zgjidhet ky ngërç duke iu drejtuar gjykatës, me dëshmitarët, bashkëvuajtësit e tu në Spaç?
Mbase mund të bëhet si njohje fakti, por nuk e di nëse mund ta pranojnë sigurimet shoqërore. Për këtë çështje mjafton një vendim i posaçëm, të hiqen burokracitë. Dihet botërisht se kush ka qenë e kush jo në burgje, kush ka punuar. Dikur ka qenë një komision që jepte vërtetimet, para shumë vitesh, por nuk e di pse e hoqën, e shkrinë.
Po kolegët e tu, si e kanë marrë?
Kolegët e mi kanë dalë me moshë në pension, problemi im tani do të kthehet në fenomen për qindra ish-të burgosur politikë të tjerë. Unë i përkas moshës së parë që del në pension si ish i burgosur politik, jam 59 vjeç. Tani po identifikohet si problem. Pjesa tjetër kanë dalë me 135 mijë lekë pension si ish i burgosur politik, por si punëtor miniere ka tjetër pension: me ligjet aktuale dhe dekretin e ish-presidentit Berisha në ’92 burgu quhet dopio.
A e keni marrë dëmshpërblimin e caktuar nga qeveria për vitet e burgut politik?
Po, kam marrë dy këste dhe kam për të marrë akoma. Është një proces që do të zgjasë, kjo dihet.
A morët pjesë në ndonjë nga grevat e urisë apo në protestat që u bënë këtë vit nga ish-të burgosurit politikë?
Të them të drejtën, jo. Nuk mund të bëhesha pjesë e asaj greve urie, sepse nuk mund të lejoja regjimin komunist të më përdorte dy herë.
Kë nënkuptoni me regjimin komunist, të dytë?
Aty janë keqpërdorur persona fakira. U përdorën politikisht, dihet nga kush. Nga Partia Socialiste.
A kishit ndonjë mikun tuaj aty në grevë?
Po, Xhafer Agaraj, shoku im i burgut dhe i punës në Spaç, që e kisha ngjitur në rresht. E kam marrë në telefon dhe i fola se “ç’po bënte ashtu, pse po e linte vetën të keqpërdorej”. Folëm dhe ai reflektoi. Pas asaj telefonate, ai e braktisi grevën dhe u largua në shtëpi.
Ai u largua për arsye shëndetësore, kështu u deklarua?
Atë nuk e ka deklaruar ai, por ashtu thanë të tjerët nga greva pasi i braktisi, që mos të dekonspiroheshin. U leverdiste të deklaronin ashtu, sepse miku im Xhafer Agaraj u largua nga greva, sapo kuptoi makinacionet komuniste. Ai është aq i zgjuar sa të kuptonte këtë…
Me ardhjen e demokracisë dhe lirimin nga burgu të të gjithë personazheve që krijuan “grupin e Baldushkut”, a jeni takuar ndonjëherë?
Nuk jemi parë dhe takuar që nga koha që u përballëm në gjyq. Me dy prej tyre thashë që u pamë në Spaç, por u transferuan që aty. Nuk jemi takuar, sepse nuk e njihnim njëri-tjetrin më parë. As i dinim jetët e njëri-jetrit dhe akoma nuk e di.
As ato dy motrat?  
Jo, jo. Veç kam marrë vesh që njëra kishte vdekur, në burg më duket. Ndërsa tjetra ishte martuar nuk e di se ku. Edhe kaq e kam me të dëgjuar nga të tjerët, kur kanë marrë vesh që kam qenë i dënuar për çështjen e Baldushkut. Se ishte ngjarje që pati jehonë shumë të madhe.
Çfarë do t’u thoje sot atyre që të hetuan e dënuan?
Unë kam njohur një hetues, fabrikanti më i madh që ka patur ndonjëherë Sigurimi i Shtetit. Ai quhet Dilaver Bengasi. Edhe Enveri do ta kishte zili.

0 σχόλια:

Post a Comment