Flying Angel Heart

7.01.2013

Programi i Qeverisë së re, emrat e PS dhe LSI në grupin e punës

 

 

Haxhinasto dhe Beqja, gati takimi me ekipet e tyre. “Panorama” shkruan se sot do të nisin takimet mes grupeve të punës për konkretizimin e një programi qeverisës të 300 ditëve të para të qeverisë së re. Pasi Edi Rama dhe Ilir Meta në takimin e pak ditëve më parë mandatuan Ilir Beqjen dhe Edmond Haxhinaston për të ballafaquar pikëpamjet dhe programet e tyre, dy përfaqësuesit e lartë të të dy partive kanë krijuar grupet e punës që do të punojnë për detajimin e këtij programi. Duket se selia rozë po mban çdo informacion hermetik pa dhënë asnjë detaj, ndërsa LSI është më e hapur në këtë drejtim. Burime nga LSI pohuan dje se sekretari socialist për Programin, Beqja, ka thirrur në këtë grup Mimi Kodhelin, Arben Ahmetajn dhe Shpëtim Canin.
Ndërsa nga ana e tij, Haxhinasto ka thirrur dje Selim Belortanë dhe Majlind Lazimin, sekretarin për ekonominë në LSI. Nesër palët do të paraqesin propozimet e para bazuar në programet e tyre si masa të shpejta për qeverinë e re që do të votohet në shtator në Kuvendin e Shqipërisë. Ky program do të synojë marrjen e masave emergjente për të dalë nga situata e vështirë ekonomike, sociale, financiare, marrëdhëniet me biznesin, përgatitjet për aplikimin e taksave të reja, por dhe përmirësimin e rendit dhe sigurisë. Në vëmendje do të jetë situata buxhetore e vendit, marrëdhëniet e qeverisë me biznesin, niveli i papunësisë, por dhe situata në tatime dhe dogana mbi të cilat do të duhet të nisë qeveria e re nga puna.
Pritet që grupeve të punës t’u bashkëngjiten dhe ekspertë të fushave të tjera, si rendi, drejtësia dhe arsimi. Do të jenë këto dy grupe pune që do të merren dhe me projektin e gazsjellësit TAP, e cila u vendos dhe në takimin mes kreut të PS dhe atij në LSI tri ditë më parë. “U çmua e nevojshme, edhe në vijim të kontaktit që të dy kryetarët patën dje me autoritete përfaqësuese të Azerbajxhanit, që në mbështetje të plotë të projektit të TAP të krijohet një Task-Forcë. Kjo Task-Forcë duhet të bëhet operative për të ndjekur fazën përgatitore të projektit, si edhe për të organizuar, në bashkëpunim me partnerët në këtë projekt, procesin e kualifikimit të burimeve njerëzore vendëse që do të përfshihen në fazën e realizimit të projektit”, u njoftua pas takimit Rama-Meta.

0 σχόλια:

Post a Comment