Flying Angel Heart

6.08.2014

Austria pro Shqipërisë, 15 vende të tjera i bashkohen

 

ram-fyle-statusiAustria është bërë vendi pararojë i lobimit në vendet e tjera të Bashkimit Europian për sa i përket dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Pas Konferencës së Vjenës për Zgjerimin e Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, u ka nisur një letër homologëve të 28 vendeve të unionit, baroneshës Catherine Ashton dhe ministrit të Jashtëm grek, Evangjeloz Venizelos në të cilën kërkon mbi bazën e argumenteve dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Deri dje, letrës i janë përgjigjur pozitivisht 16 vende, duke përfshirë Italinë, Kroacinë, Slloveninë, Sllovakinë, Rumaninë, Bullgarinë, Poloninë, Hungarinë, Suedinë, Qipron, Estoninë, Irlandën, Letoninë, Lituaninë dhe Maltën. Shumë shpejt vende të tjera pritet t’i bashkohen kësaj nisme, por ende nuk ka një përgjigje nga pesë vendet skeptike, Britania e Madhe, Franca, Danimarka, Gjermania dhe Holanda. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, shprehu në rrjetet sociale edhe falenderimin e tij për mbështetjen që këto vende europaine po i japin Shqipërisë në procesin e kandidimit në Bashkimin Europian.

Letra e plotë

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përpara në mënyrë të konsiderueshme drejt rrugës së Bashkimit Europian, gjë e cila është konfirmuar në tetorin e vitit 2013 nga Komisioni Europian në opinionin për dhënien e statusit.

Dhjetorin e kaluar, Këshilli mirëpriti aksionet e mëtejshme të marra nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkushtimin e qeverisë së re dhe përgëzoi masat e intensifikuara në këto fusha. Tashmë, përkushtimi dhe progresi i Shqipërisë, siç u nënvijëzua në raportin e Komisionit në qershor të 2014-s, meriton në mënyrë të qartë më shumë njohje nga Bashkimi Europian. Shqipëria ka përmbushur në mënyrë bindëse kushtet që BE i ka kërkuar. Gjatë muajve të fundit, Shqipëria ka forcuar përpjekjet në fushën e sundimit të ligjit. Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Shqipëria ka treguar vullnet politik të vazhdueshëm për të vepruar në mënyrë të vendosur. Janë për t’u përmendur disa shembuj: Baza ligjore dhe institucionale e antikorrupsionit është forcuar. Agjencitë ligjzbatuese kanë intensifikuar aktivitetin e tyre. Policia ka ndërmarrë një sërë aksionesh kundër veprimtarive kriminale, duke përfshirë dhe trafikimin e drogës. Bashkëpunimi ndërkombëtar është rritur. Vendi ka treguar përkushtim dhe për sa i përket reformës në drejtësi dhe ka nisur punën me Komisionin e Venecias për të rritur pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizimin te gjyqësori. Duke pritur Këshillin e qershorit dhe mbledhjen e ministrave të Këshillit të Europës, ne përsërisim mbështetjen tonë në favor të dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Kjo mund ta inkurajojë Shqipërinë të vazhdojë rrugën e reformave dhe të ruajë vazhdimësinë. Kjo mund të ketë potencialin e sinjalizimit të qeverisë së mëparshme, që themelet e reformave që ata kanë hedhur janë njohur, duke lehtësuar në këtë mënyrë themelimin e një kulture politike më përfshirëse. Procesi i zgjerimit është kërkues, me rregulla strikte. Është e rëndësishme që të tregohet se në momentin që kushtet janë përmbushur, BE është gati ta shpërblejë progresin e arritur, kjo e ndihmon vendin në rrugën drejt anëtarësimit. Marrja e statusit të vendit kandidat do t’i dërgojë një mesazh të rëndësishëm dhe të fortë vendeve të rajonit dhe do të forcojë stabilitetin dhe transformimin e procesit të zgjerimit, një proces nga i cili përfitojnë të dyja, Bashkimi Europian dhe qytetarët e vendeve pjesë e procesit.

Etapat

Kandidat potencial

Është statusi që mban aktualisht Shqipëria në marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe që konsiderohet një nga stadet më të ulët në proces

Statusi kandidat

Është një etapë, të cilën Shqipëria ka pesë vite që e kërkon në “dyert” e BE-së dhe është refuzuar tre herë. Ndërsa në dhjetor, vendimi u shty

Hapja e negociatave

Është faza e ardhshme në të cilën duhet të kalojë Shqipëria për të mbërritur sa më pranë anëtarësimit të plotë në BE. Serbia i hapi negociatat këtë janar.

0 σχόλια:

Post a Comment