Flying Angel Heart

6.01.2014

Provimi i letërsisë, 13 nxënës përjashtohen nga matura

 

Kapen me celularë ndezur. Nikolla: Ndryshimi është i mundur. Rama, përgëzon

Provimi i parë, i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, është zhvilluar normalisht, pavarësisht se 13 nxënës u përjashtuan nga testimi, si pasojë e celularëve të ndezur. Referuar një prej pikave të rregullores së Maturës Shtetërore, nxënësit, të cilët kapen me kopje, me celularë ndezur, jo vetëm që duhet të ndërpresin provimin në mënyrë urgjente, por edhe duhet të përjashtohen nga mundësia e zhvillimit të testeve të tjera, si një formë, që do të ndikojë në mendësinë e nxënësve, për të respektuar rregullat dhe jo për t’i shkelur ato. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pohoi se provimi i dy ditëve më parë, shënoi një standard të ri në mënyrën e administrimit të tij, përtej nxjerrjes jashtë të disa maturantëve. Madje, sipas saj, një vendim iMaturantet-provim_8 tillë, përforcon edhe më shumë idenë, se më në fund, pas kaq vitesh, po merren masa ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullores së këtij procesi, siç nuk ka ndodhur më parë. Ndër të tjera, ajo theksoi se vlerësimi i provimit të parë të maturës shtetërore do të nisë më datë 2 qershor. Lidhur me mbarëvajtjen e testit të letërsisë, në rrjetin e tij social “Facebook”, reagoi edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili përgëzoi dhe falënderoi ministren dhe zëvendësministren e Arsimit, për punën e deritanishme, që sipas tij arritën të ndryshonin faqen e maturës shtetërore.

Nikolla

“Dje u shënua një standard i ri administrimi. U administruan mirë edhe zonat problematike. Në provim, 13 nxënës u kapën me celularë dhe u nxorën nga salla e provimit. Masa do të merren edhe për nxënësit, që hyjnë në provim me dokumente false. Sot dua të falënderoj të gjithë ata që nga i gjithë vendi kanë përshëndetur këtë standard kthesë, duke shprehur se skema e administrimit dhe realizimit të këtij procesi të sigurt nuk është meritë personale, por e një pune dhe përgjegjësie në skuadër”, tha Nikolla. Ministrja e Arsimit citoi edhe mesazhin e marrë nga një prej administratorëve të zonave më të “nxehta” në vend, i cili shkruante: “Nuk kisha besim se kësaj here do të bëhej ndryshimi e ndaj erdha plot mosbesim në provim. Erdha sepse doja ta shihja me sytë e mi. Ju kërkoj ndjesë për mosbesimin. Tani kuptova që ndryshimi është i mundur dhe atje ku duket i pamundur”. Ky, por edhe qëndrime të tjera pozitive, sipas ministres së Arsimit, janë arsyeja pse beson që ky provim, si asnjëherë tjetër, mundësoi një standard të unifikuar, kudo, në të gjithë vendin. “E thënë qartë, treguam se, po, është i mundur ky ndryshim aty ku bindja është e thellë, se detyra parësore e institucioneve është jetësimi i proceseve që ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë. E vyer ishte ndihma e shumë aktorëve të cilët me mbështetjen e tyre mundësuan mbarëvajtjen e procesit”,

Rama

Kryeministri Edi Rama vlerëson punën e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, dhe të zëvendësministres, Nora Malaj, për sa i përket Maturës Shtetërore. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai shkruan se puna e tyre së bashku me koordinatorët në terren i ndryshuan faqen Maturës Shtetërore. “Krenar për Lindita Nikollën, Nora Malajn e ndihmësit e tyre, që së bashku me administratorët në terren i ndërruan faqen Maturës Shtetërore”, shkruan Kryeministri Rama. Në një tjetër status, disa minuta më vonë, Kryeministri shkruan: “Ministria e Arsimit në rrugën e sigurt të një historie të gjithanshme suksesi falë lidershipit vullnetfortë e dialogues të Lindita Nikollës”.

0 σχόλια:

Post a Comment