Flying Angel Heart

6.01.2014

Beteja me drogën

Beteja me drogën RENEA dhe FNSH-ja hyjnë në Progonat, pranga ‘rojeve’ të kanabisit

  • Bllokuan me të shtëna dhe goditën makinat e policisë, arrestohen në Tepelenë 8 persona , vendas dhe veriorë 
  • Tahiri kërcënon baronët e drogës: Do hyjmë në zonat e kultivimit me çdo kosto! Guardia di Financa sekuestron 1.3 ton kanabis të dalë nga Porti i Durrësit 

Tepelenë-Dropull-Bari; ky është trekëndëshi i 24 orëve ku luftohet me drogën, poseduesit, fenomenin dhe deklaratat. Ndërsa një mori policishë kanë rrethuar zonën ku u qëlluan 24 orë më parë me breshëri kallashnikovi ndaj efektivëve të Tepelenës, Saimir Tahiri, në cilësinë e kreut të dikasterit blu, lëshon deklaratën e fortë nga Dropulli, se do të ndërhyhet në çdo zonë, ku ndërkombëtarët do të fiksojnë dhe raportojnë kultivim lëndësh narkotike. Madje, ministri saktëson se ndërhyrjet do të jenë me çdo lloj çmimi, pavarësisht se prej 23 vitesh në Lazarat nuk u ndërhy asnjëherë.

Mirëpo, ndërsa, nga Gjirokastra vijnë edhe arrestimet e para për incidentin e frikshëm që u regjistrua përgjatë të premtes, nga Bari i Italisë, Guardia di Financa tregon pamjet ekskluzive të sekuestrimit të një sasie mbi një ton të një lënde narkotike që udhëtonte në drejtim të tokës së tyre. Sekuestrimi i sasive të tilla, tashmë, nuk përbën më asnjë habi as për oficerët e tyre dhe as për homologët shqiptar, por përgjatë hetimeve të rrugës që ka përshkuar mjeti, tip trajler, ata tregojnë se mjeti ka kaluar i ngarkuar me sasinë e lëndës në portin me të madh dhe më të vëzhguar të vendit, atë të Durrësit. Në Itali është prangosur drejtuesi i trajlerit transportues të sasisë prej 1270 kg të lëndës kanabis sativa, i cili mësohet se është një 34 vjeçar nga Berati. Policia vendase mban sekret emrin e shoferit të arrestuar, ndërkohë mësohet se po vijojnë hetimet për të zbuluar destinacionin e mallit dhe grupin për të cilin ishte nisur sasia e drogës nga Shqipëria.

Sekuestrimi në Bari

Rreth 1270 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar ditën e djeshme në Itali, si dhe është arrestuar një shtetas shqiptar. Kështu raportojnë mediet vendase për aksionin e policisë së tyre në portin e Barit. Sipas tyre droga që vinte nga Shqipëria, e nisur nga Durrësi, ishte fshehur në një kamion. Aksioni i “Guardia di Finanza” në Bari, ka mundur të sekuestrojë lëndën narkotike gjatë një kontrolli të ushtruar në port. Gjatë kontrollit të mjeteve që kishin mbërritur në port, u gjet droga e fshehur në kamion, e cila ishte paketuar në 1177 pako.

Ndërkaq në pranga është vendosur një shqiptar 34 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penalë, ndërsa po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet. Hetuesit patën dyshime lidhur me mënyrën e çuditshme të planifikimit të udhëtimit, nisur edhe nga mënyra e ndryshme e mjetit të përdorur për transport, duke bërë kështu një inspektim të plotë të automjetit, me ndihmën e rrezeve ‘X’. Në sajë të kontrollit u zbulua lënda narkotike, duke shmangur kalimin e drogës në tregun klandestin, shitja e së cilës llogaritet sipas tyre, të kapte shifrën 13 milionë euro. 34-vjeçari shqiptar akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës, dhe është dërguar në burgun e Barit, ndërsa mjeti i përdorur për transportin e kanabisit është konfiskuar.

Prangosen ‘rojet’ e drogës

Në ndihmë të policisë së Gjirokastrës, për të bërë të mundur hyrjen në fshatin Gusmar, kanë shkuar RENEA dhe FNSH-ja. Edhe pse dy ditë më parë u tha se personat e armatosur kanë qëlluar në ajër, në komunikatën e djeshme, lëshuar nga policia e Gjirokastrës, bëhet me dije se dy prej 8 të arrestuarve akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë. Ata janë të rinj, njëri 23 dhe tjetri 22 vjeç dhe që të dy janë nga fshati Progonat. Në arrestimin e djeshëm, në grupin prej tetë personave, pasi dy të tjerë janë shpallur në kërkim, bie në sy prania e tre veriorëve, të cilët sipas deklaratës së policisë janë pjesë e planit për të bllokuar rrugën policisë dhe për të dëmtuar mjetet e efektivëve që të mos hynin në zonë.

Referuar të dhënave që vijnë nga kjo polici bëhet me dije se operacioni u zhvillua “në zonën e ish minierës së Fosforit, në fshatin Gusmar, të Kurveleshit ku u shkatërrua një serë me 3500 fidanë kanabis sativa në gota plastike, të cilat do kultivoheshin në këtë zonë, dhe ishin hapur 3500 gropa. Operacioni ka vijuar për kontrollin e plotë të gjithë zonës në komunën Kurvelesh. Një grup personash të ardhur nga zona të tjera me lidhje farefisnore në këtë komunë, dhe disa persona nga fshatrat e komunës Kurvelesh , kanë kundërshtuar me dhunë policinë e Tepelenës që po vijonte operacionin për kontrollin e territorit, ku kanë thyer me mjete të forta xhamat e njërës nga makinat e policisë.

Më pas këta persona kanë bllokuar rrugën për në hyrje të fshatit Lekdush me inerte dhe kanë qëlluar me armë efektivat e policisë që po shkonin për të hapur rrugën. Në ndihmë të efektivëve të Tepelenës kanë shkuar dhjetëra forca të Gjirokastrës, e më pas edhe RENEA, grupet të FNSH, e Delta Forcë. Si rezultat është bërë hapja e rrugës, janë kryer dhjetëra kontrolle banesash, është kryer kontroll masiv i territorit që mbulon Komuna Kurvelesh, janë sekuestruar 3 automjete me të cilat kanë lëvizur personat e armatosur, që më pas i kanë braktisur pasi të gjitha hyrje - daljet ishin të bllokuara nga policia, si dhe janë arrestuar tetë persona e janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Arrestimi i tyre u bë për veprat penale ‘Vrasje në rrethana të cilësuara mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim:, si dhe “Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur”. 

Tahiri

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përuroi postën e policisë në Dropull të Gjirokastrës ndërkohë lëshon edhe deklaratat ku premton ndërhyrje në të gjithë vendin nga ajri. Sipas tij, ndonëse ka qenë premtuar që një javë më parë nisja e fotografimit të vendit, do të jetë bashkëpunimi me ndërkombëtarët në këtë drektim që do të bëjë të mundur identifikimit të parcelave me lëndë narkotike. Hapja e postës së re të policisë iu përgjigjet shqetësimeve të vazhdueshme të komunitetit në zonat minoritare, për pasigurinë dhe rrezikun që sipas tyre, iu kanoset nga keqbërësit.

Sipas ministrit të Brendshëm “Hapja e postës së policisë në zonën e Dropullit garanton një standard të ri sigurie dhe është një shembull i bashkëpunimit me komunitetin”. Ai siguroi se edhe trupa e policisë, do të jetë në raport të drejtë me përqindjen e komunitetit minoritar në këtë zonë. Ministri i Brendshëm siguroi se shumë shpejt do të fillojë monitorimi nga ajri i territorit dhe në çdo zonë ku do evidentohet hashash, do të ndërhyjë policia. Duke komentuar ngjarjen në Progonat, Tahiri tha se ajo dëshmon që policia është në krye të detyrës dhe se do të ndërhyjë me çdo kosto në zonat ku do të evidentohen zona të mbjella me bimë narkotike. Në ceremoninë e përurimit të stacionit të ri të policisë merrnin pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, dhe deputetët Vangjel Tavo e Anastas Angjeli.

0 σχόλια:

Post a Comment