Flying Angel Heart

3.09.2014

NATO i kufizon Shqipërisë aksesin

 

 

Në vitin 2011, NATO i kufizoi Shqipërisë aksesin për informacionin e klasifikuar për çështjet atomike. Në parlament është miratuar një nismë në të cilën ratifikohej “Protokolli që ndryshon aneksin e sigurisë së marrëveshjes ndërmjet palëve të traktatit të Atlantikut Verior, për bashkëpunimin për informacionin atomik”. Gjithashtu, ndryshimi i këtij protokolli parashikon dhe rritjen e monitorimit të Shqipërisë për mënyrën e ruajtjes së dokumenteve. Në këtë marrëveshje janë ndryshuar rregullat në lidhje me marrjen e informacionit të klasifikuar. Sipas ekspertëve, të gjitha të dhënat, informacionet sekrete për çështjet atomike më parë duhet të filtrohen nga zyrat qendrore të NATO-s. Ajo që bie në sy është se inspektimi i NATO-s në Shqipëri nuk do të kryhej një herë në vit, por është lënë e hapur mundësia që ai të realizohet në çdo kohë.

NATO nuk ia beson sekretet Tiranës

Gazeta “Shekulli” ka siguruar një kopje procesverbali të mbledhjes me dyer të mbyllura katër vjet më parë, kur në Komisionin e Sigurisë raportonte Drejtori i DSIK-së, Shyqyri Dekavelli. Përfundimi: Duhet të përmbushen standardet që Shqipëria të njihet me informacionet “Tepër sekret” të NATO-s.

“Informacioni atomik”

Procesverbal [ 02 Mars, 2010 ] Drejton mbledhjen Leonard Demi – kryetar i komisionit Rendi i ditës: Informimi i komisionit për vendimin nr. 78, datë 10.02.2010 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet palëve në Traktatin e Atlantikut të Veriut, për bashkëpunimin në lidhje me informacionin atomik. Marrin pjesë: Leonard Demi, Luan Skuqi, Fatos Hoxha, Paulin Sterkaj, Vasillaq Ngresi. Mungojnë: Astrit Patozi, Lefter Maliqi dhe deputetët e opozitës. Të ftuar: Shyqyri Dekavelli, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në Këshillin e Ministrave dhe Ramadan Çaço, drejtor juridik në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Leonard Demi: Të nderuar kolegë, hapim mbledhjen. (Lexon rendin e ditës.) Keni vërejtje për procesverbalin? Nuk keni. Miratohet. Mund të vazhdojmë me projektligjin e parë. Urdhëroni, zoti Dekavelli!

Shyqyri Dekavelli: Falë punës që ne kemi bërë për standardet e sigurisë në këto ambiente, doli që testimi ishte vërtet shumë pozitiv. Për arritjen e standardeve na ka ardhur një vlerësim i tillë edhe nga Zyra e Sigurisë së NATO-s.

Leonard Demi: Si i keni marrëdhëniet me NOUS-in?

Shyqyri Dekavelli: Të them "exellent" është pak...

Leonard Demi: Mos po i bëni pak qejfin vetes, zoti Dekavelli?

Shyqyri Dekavelli: Për sa i përket projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut për sigurinë e informacionit”, aderimi i Shqipërisë në këtë marrëveshje është shumë i rëndësishëm, sepse ne aderojmë me një status të ri, që është statusi i anëtarit të NATO-s. Është detyrimi ynë që ne të aderojmë në këtë marrëveshje, përndryshe nuk jemi anëtarë të NATO-s. Kjo marrëveshje ka të bëjë me sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO-s, i cili nuk është më në nivelin sekret për të cilin kemi pasur dijeni deri tani, por do të jetë i një niveli tepër të lartë dhe tepër të rëndësishëm, që quhet “cosmic top secret” ose “atomic”.

Më vonë do të vijë një nivel tjetër informacioni që do të jetë edhe më i lartë. Kjo përbën thelbin e kësaj marrëveshjeje që ne duhet të miratojmë, në mënyrë që këtë informacion ta sigurojmë sipas kërkesave të politikës të sigurimit të NATO-s. Çdo disiplinë e sigurimit të informacionit në NATO ka direktivat e saj dhe mbi bazën e këtyre direktivave ne kemi bërë projektvendimet tona, që tashmë janë bërë vendime të Këshillit të Ministrave dhe që harmonizohen plotësisht me direktivat e NATO-s. Këto direktiva kanë të bëjnë me sigurimin fizik, sigurimin e Infosek-ut, sigurimin e personelit, sigurimin industrial të marrëdhënieve ndërkombëtare, që janë të vlerësuara, të kontrolluara nga NOUS-i dhe të miratuara nga Qeveria.

Çfarë kërkohet nga aderimi me këtë marrëveshje? Kërkohet që ne t’i ngremë këto standarde në një nivel më të lartë, sidomos në komunikimin e këtij informacioni. Kjo është shumë e rëndësishme. Në qoftë se dokumentet e klasifikuara deri në nivelin sekret transmetohen me pajisje elektronike, pra me sisteme kriptografike, informacioni që do të vijë, i cili është "cosmic" "top secret" ose "atomic" nuk lejohet absolutisht që të transmetohet në mënyrë elektronike, por vetëm me korrier diplomatik. Kjo punë po bëhet nga Zyra e Sigurisë së NATO-s. Ne kemi përfunduar instalimin e një sistemi kriptografik, që është i një niveli shumë të lartë dhe jemi duke monitoruar këtë instalim në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Jashtme. Është bërë edhe rrjeti i brendshëm, janë lidhur edhe dy ministri me fibër optike, ndërsa rrjetet që janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Jashtme kanë lidhje direkte me rrjedhën që ne kemi me misionin tonë në NATO. E rëndësishme është se si do ta menaxhojmë këtë informacion. Edhe për ketë kemi krijuar standardet e duhura.

Në Ministrinë e Mbrojtjes është një zyrë nënregjistri e NATO-s, e cila do të printojë të gjithë informacionin që do të dalë nga ky rrjet, në mënyrë që çdo gjë të jetë e kontrolluar. Më pas ky informacion do të shpërndahet tek i adresuari. Në pak ditë do të bëjmë edhe akreditimin e këtij rrjeti. Kjo do të thotë se shumë shpejt do të bëhet funksional. Kjo është e rëndësishme dhe kërkohet nga NATO-ja, ndërsa standardet e tjera ne i kemi arritur.

0 σχόλια:

Post a Comment