Flying Angel Heart

6.27.2013

fjalimi i sali berishes pas humbjes se zgjedhjeve

Kryeministri thotë se do qëndrojë si kryetar i PD deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Berisha: Përgjegjësia e humbjes është vetëm e imja     Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, ku është pritur me thirrje “Fitore, fitore”.image

Dhjetëra të rinj të forumit rinor të PD ishin mbledhur përpara selisë, duke vështirësuar hyrjen e Berishës brenda.  Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur pasi në seli kanë ardhur edhe të tjerë drejtues dhe zyrtarë të PD.  Në një fjalim të mbushur me emocione, por edhe me lot, kryeministri Sali Berisha shpalli se pranon humbjen e këtyre zgjedhjeve, por shtoi se ai do të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD.

Por Berisha tha se kjo nuk është një lamtumirë, pasi ai do jetë anëtar i PD-së dhe nuk do bëjë kurrë një fjalim lamtumirë.  Fjalimin e ka lexuar nxitimthi, si asnjëherë tjetër në historinë e tij, pa ngritur asnjëherë sytë nga kamerat, duke ngatërruar fletët dhe duke pirë ujë shpesh.  Berisha tha se i uron kundërshtarit mbarësi dhe shtoi se uron që qytetarët shqiptarë të kenë një jetë më të mirë.  Berisha tha se përgjegjësia për humbjen është vetëm e atij.

Më pas kryeministri lexoi arritjet e qeverisjes së tij, madje duke premtuar ndonjëherë se në mandatin e ri do të bëjë edhe më shumë.  Në fillim të fjalës së tij, Berisha tha se mesazhi ishte i vonuar.  “Të dashur qytetarë dhe mbështetës të PD-së  Sot jam para jush për një mesazh pak të vonuar sepse kam dashur të respektoj punën e komisionerëve tanë.  Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të pakufishme ndaj qindra e mijëra shqiptarë, të reja, të rinj, burra e gra, fëmijë e të moshuar, që më shoqëruan mua nga Koshovica në Tropojë, me mikpritjen më entuziaste që kam njohur ndonjëherë, herët në mëngjes dhe vonë në darkë.

Ne shtrënguam duart me njëri- tjetrin dhe më bënë mua si dhuratë fushatën elektorale më të pasur, më të bukurën dhe më masiven e jetës sime.  Unë kam punuar me energji, përkushtim e entuziazëm se në fushata të tjera.  Sot dua të përulem me nderim përpara militantëve të PD-së për sakrificën, mundin dhe djersën e tyre në këtë fushatë dhe të në gjitha betejat.  Shfrytëzoj rastin të përgëzoj kandidatët e PD, shtabet e tyre elektorale, komisionerët tanë.  Falënderoj qytetarët shqiptarë që besuan tek Berisha dhe PD, por edhe çdo shqiptar që mori pjesë në zgjedhje duke nderuar sistemin tonë,” tha Berisha.  Më pas kryeministri tha se rezultati i zgjedhjeve ishte i qartë, ndërsa shtoi se sovrani nuk gabon.  “Unë e di që sot shumë prej jush prisni me trishtim fjalimin tim, por unë jam këtu jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi është i qartë dhe i pranuar nga unë dhe PD.  Por jam këtu për t’u njohur me një vendim.  Në karrierën time për dy dekada, unë e kam ndjerë veten si shërbëtor i juaj dhe i vendit tim.  E kam cilësuar privilegjin më të madh të jetës sime, duke qenë i vendosur që do të largohesha nga posti sapo të kisha arsye shëndetësore, por lavdi Zotit kjo nuk ndodhi.

Përveç kësaj, unë gjithnjë kam qenë i vendosur t’i bindem sovranit, që foli qartë në këto zgjedhje. Unë i përkas atyre politikanëve që besoj se sovrani nuk gabon.  Mirëpo qytetarët votuan projektin e kundërshtarit, që bënte premtime që ne nuk mund t’i bënim,” tha Berisha.  Nuk ka munguar as urimi për kundërshtarin.  “Uroj kundërshtarit mbarësi dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë më të mirë,” tha kryeministrin.  Për Berishën, përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve është vetëm ai. Berisha më pas shpalli dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD.  “Unë jam përpjekur me më të mirën për fitoren tonë, por kjo nuk ndodhi.  Për këtë humbje përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, mbi Sali Berishën, kështu që duke marrë përgjegjësitë që më takojnë, kam vendosur që të jap dorëheqjen time nga të gjitha funksionet e mia në Partinë Demokratike, të jem një si ju dhe të punoj me përkushtim si opozitë për të shndërruar programin tonë në program fitoreje.  Ky nuk është një fjalim lamtumire.

Nga unë nuk do dëgjoni kurrë një fjalim lamtumire pasi ai do ishte një fjalim që nuk do e lexoja kurrë.  Gjithë jetën time politike, dhe në këto momente të veçanta, ndjehem krenar dhe i frymëzuar me secilin prej jush,” tha Berisha.  Më pas kryeministri u ndal gjatë në arritjet e qeverisjes së tij.  Në një moment ai u ndal edhe tek çështja e Kosovës.  “Sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë.  Jemi krenarë pasi javën e parë të themelimit tonë shpallës se liria e shqiptarëve në Kosovë dhe kudo do jetë ylli ynë polar.  Ne e vendosëm çështjen e Kosovën në axhendën e kancelarive më të mëdha në botë.  Ne mbështetëm luftën heroike të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni,” tha Berisha.  “Sot ne të gjithë duhet të jemi krenarë me Partinë Demokratike.  Në vitin 2005 ne përzumë nga pushteti me zgjedhje jo të lira dhe të ndershme ata që erdhën me dhunë në pushtet,” vijoi kryeministri.  Pak a shumë si në çdo fjalim fushate, ai përmend mijëra kilometra rrugë, dixhitalizimin e Shqipërisë, shtimin e investimeve të huaja, Kaskadën e Devollit, etj.

“Këto ditë konsorciumi Shah Deniz vendosi për TAP-in. Ne kemi bërë gjithçka, kemi lobuar fuqishëm, kemi plotësuar çdo detyrim për të favorizuar vendimin në favor të tij dhe unë njoftoj shqiptarët se TAP-i fitoi.  Duke shprehur mirënjohjen më të thellë qeverisë së Azerbajxhanit, theksoj për të gjithë shqiptarët se kjo është një arritje historike e jona.  Me përfundimin e TAP-it, Shqipëria zgjidh në mënyrë totale problemin e energjisë,” tha Berisha.  Kryeministri theksoi se shqiptarët festuan me dinjitet edhe 100- vjetorin e pavarësisë.  “Ne konsoliduam shtetin ligjor, bëmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, anëtarësuam vendin në NATO, liberalizuam vizat me BE dhe nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me SHBA.  Këto dy mandate ne kemi folur me vepra, që kanë krijuar Shqipërinë tjetër. Ato janë vepra që kanë ndryshuar historinë tonë, gjeografinë. Këto arritje për çdo shqiptar janë krenari e veçantë,” tha Berisha.  Kryeministri tha se rezultatet janë të dukshme dhe votuesi e di këtë.

“Por PD do të dijë të lexojë me mençuri e guxim vendimin e sovranit në këto zgjedhje. PD ka në gjirin e saj potenciale njerëzore të jashtëzakonshme dhe do të dijë që me lidershipin e ri të shndërrohet në një mazhoranca morale dhe më pas zyrtare të vendit tonë,” tha Berisha.  Kryeministri në fund të fjalës së tij ka bërë falënderimet, ndërsa tha se do jetë kryeministër deri në formimin e qeverisë së re dhe kryetar i PD deri në zgjedhjet e reja për kreun e kësaj partie.  “Falënderimet më të përzemërta për bashkëpunëtorët e mi në këto 22 vite. Ata janë djem e vajza, gra e burra me integritet të lartë njerëzor dhe profesional.  Mirënjohje të pakufishme për miqtë tanë në Partitë Popullore për mbështetjen dhe bashkëpunimin e pakufishëm.  Mirënjohje për miliona shqiptarë që kanë vendosur besimin tek mua me votë.  Do të bëj gjithçka në mbështetje të interesave dhe aspiratave të tyre fisnike.  Gjatë këtyre kohëve kam dhjetëra e mijëra mesazhe nga miqtë dhe mbështetësit e mi, që më kërkojnë këtë herë një gjë që për fatin më të keq e kam të pamundur të heq dorë nga vendimi që kam marrë.  Por i ftoj ata që të mbrojmë kauzën tonë.

Arritjet e Shqipërisë do ishin të pamundura pa solidaritetin e miqve tanë ndërkombëtarë të SHBA, BE.  Shpreh mirënjohje për SHBA, aleatin më të madh të lirisë dhe kombit shqiptar.  Mirënjohje për familjen time për mbështetjen ndaj meje.  Së fundmi, unë në përputhje me Kushtetutën e vendit, do vazhdoj të punoj me përkushtim të madh për projektet e Shqipërisë së zhvilluar.  Do qëndroj në timonin e PD-së derisa të organizohen zgjedhjet e reja për lidershipin e ri, që do e mbështesim së bashku në fitoren e zgjedhjeve më të afërta që na presin.  Përpara!  Zoti e bekoftë PD-në, zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kujdo që janë!” tha Berisha.   

 

per te par videon klikoni http://youtu.be/bmRQ7PxDoW0

0 σχόλια:

Post a Comment