Flying Angel Heart

6.16.2013

Murinjo: Abramoviç nuk ka ndërhyrë kurrë në skuadër!

 

 

Zhoze Murinjo ka hedhur poshtë idenë e përgjithshme që qarkullon prej vitesh se ndërhyrjet e Roman Abramoviç dhe insistimi i tij për të blerë Andri Shevçenko në vitin 2006, ishte shkaku kryesor i largimit të portugezit nga Çelsi. Murinjo bëri të qartë se gjatë viteve të qëndrimit të tij në Londër, ai kishte pasur kontroll të plotë mbi çdo çështje që kishte lidhje me lojën, ndërsa zbuloi edhe disa nga prapaskenat e transferimit të ukrainasit nga Milani për 30 milion paund.

“Pronari asnjëherë, gjatë periudhës time si trajner, nuk u përpoq të ndërhynte në detyrat themelore të trajnerit. Ato janë stërvitja, përzgjedhja e skuadrës apo edhe profili i lojtarëve që duheshin blerë. Në atë periudhë dëshironim të blinim Samuel Eto’o nga Barcelona, sepse ai ishte i vetmi lojtar që mund të vija përkrah Didier Drogba, për të luajtur me dy sulmues. Abramoviç bëri gjithçka që mundej për të siguruar Eto’o, por Barcelona në fund tha që nuk kishin ndër mend ta shisnin. Pas kësaj përgjigje, morëm në konsideratë opsione të tjera dhe morëm Shevçenkon, për të cilin isha shumë i lumtur”, tha Murinjo.

“Kur blen 20 djem të rinj, jo të 20 përfundojnë te ekipi i parë. Edhe me lojtarët e mëdhenj, të cilët i blen për 30, 40, 50 apo 60 milion, shpesh gjërat nuk funksionojnë dhe kjo nuk do të thotë se ti apo klubi ke vepruar gabim”, tregoi portugezi për sulmuesin i cili nuk shkëlqeu kurrë me fanellën e Çelsit.

Murinjo më pas ka hedhur poshtë edhe idenë se Çelsi ishte zgjedhja e tij e dytë pas Mançester Junajtid, pasi shpesh në shtyp është spekuluar se ai dëshironte të ishte pasardhësi i Aleks Ferguson.

“Do të refuzoja këdo në botë për Çeslin, E dija që Ferguson do të largohej prej shumë kohësh. Ishte vetëm një rreth i ngushtë njerëzish që e dinte dhe unë kam ndjerë një përgjegjësi të madhe të isha mes tyre. Unë jam miku i tij dhe ai është aq mik me mua sa ta dinte se klubi që dëshiroja të drejtoja në Angli ishte Çelsi. Nga ana emocionale, ndjej se po kthehem, pasi kjo është pankina ime, stadiumi im, dhoma ime e zhveshjeve, qendra ime stërvitore dhe zyra ime”, deklaroi Murinjo.

0 σχόλια:

Post a Comment