Flying Angel Heart

6.14.2013

Elbasan, vritet i liruari nga burgu

 

 

Hyqmet Pisha, viktima e atentatit

Ekzekutohet me shtatë plumba pistolete në qendër të Elbasanit një person i liruar nga burgu dy javë më parë. Ngjarja, që dyshohet se ndodhi për gjakmarrje, ka shkaktuar edhe plagosjen e një kalimtareje. Hyqmet Pisha, 45 vjeç, babai i dy fëmijëve, është ekzekutuar me armë nga një person mesditën e djeshme. Ngjarja ndodhi në një ambient publik pranë zyrave të Gjendjes Civile në Elbasan, ku viktima Hyqmet Pisha ishte ulur në një lokal për të konsumuar një pije. Viktima ka qenë në karriget jashtë lokalit kur një person është afruar aty dhe ka nxjerrë pistoletën duke shtënë plot 7 herë. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe shtetasja Lindita Çalladej, e cila ndodhej rastësisht në vendin ku ndodhi krimi. Dy orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan, Policia tha se ka shpallur në kërkim shtetasin Festim Korra, rreth 30 vjeç. Ai besohet se është hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij, Qamil Korra, në vitin 1997, ngjarje për të cilën ishte dënuar Hyqmet Pisha, personi i vrarë dje në qendër të Elbasanit.  
Atentati
Hyqmet Pisha, i liruar nga burgu më 29 maj 2013, duket se ka qenë nën vëzhgim e nën ndjekje së paku prej dy javësh. Të informuar për lëvizjet e tij, autori apo autorët e krimit kanë pritur momentin për të vepruar. Teksa 45-vjeçari ishte ulur në verandën e një lokali pranë Gjendjes Civile në Elbasan, rreth 30 metra më tutje është parkuar qetësisht një automjet tip “Benz” me targa angleze KJ 53 LUD. Ora shënonte 13:30. Nga makina me targa angleze ka dalë një person, i cili ka ecur me qetësi në drejtim të verandës se lokalit ku ishte ulur Hyqmet Pisha. Teksa afrohej, vrasësi ka nxjerrë armën nga brezi dhe në distancë të afërt ka shtënë shtatë herë mbi viktimën. I liruari nga burgu dy javë më parë është shembur përdhe duke rënë në shpinë me gjithë karrigen. Nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe shtetasja Lindita Çalladej, kalimtare e rastit që u ndodh rastësisht aty. Si pasojë e tronditjes, edhe ajo është rrëzuar në tokë duke mbetur për disa minuta në trotuar. Nga goditjet me armë zjarri ka shpëtuar i paprekur një person që ndodhej në tavolinë me Hyqmet Pishën, siç mendohet nga policia, mik i viktimës.

Lindita Çalladej, kalimtarja e plagosur

Hakmarrja
Policia e Elbasanit ka thënë dje se viktima i atentatit, Hyqmet Pisha, kishte dy javë që ishte liruar nga burgu, pasi kishte kryer dënimin për vrasjen e shtetasit Qemal Korra, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Sipas të dhënave, ai ishte dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me 17 vjet burg dhe kishte kryer 10 vjet e tetë muaj nga dënimi i dhënë. Pisha kishte përfituar ulje dënimi me anë të një amnistie nga Presidenti i Republikës në vitin 2010, ku iu falën dy vjet për sjellje të mirë në ambientet e Burgut të Peqinit, ku kishte kryer dënimin. Së fundi, Gjykata e Elbasanit kishte vendosur lirimin e 45-vjeçarit nga burgu në mënyrë të parakohshme dhe me kusht që të mos kryente vepër tjetër penale. Sipas Policisë, Hyqmet Pisha, pas dënimit që kishte kryer në burg, bënte një jetë të qetë dhe nuk ishte person me precedent penal. Ai kishte hapur një biznes me një të afërmin e tij pranë banesës së tyre që ndodhet në Teqenë e Madhe. Dëshmitarët e kanë përshkruar autorin e vrasjes së djeshme si një djalë i ri në moshë dhe pak të mbushur. Pas kontrolleve në të gjithë zonën, makina e përdorur në krim me targa angleze është gjetur e braktisur pranë Fabrikës së Çimentos në periferi të qytetit.
Prokuroria: Apeluam lirimin e Hyqmet Pishës
ELBASAN – Prokuroria ka sqaruar dje se kishte apeluar vendimin e dhënë nga gjykata për lirimin nga burgu të Hyqmet Pishës. “Kishim apeluar lirimin para kohe me kusht për Hyqmet Pishën, i vrarë dje në qytetin e Elbasanit”, tha një burim i konfirmuar i Prokurorisë. Sipas të dhënave nga organi i akuzës, lirimi i viktimës është bërë më 29 maj 2013, ndërsa apelimi i Prokurorisë së Elbasanit është bërë brenda afatit ligjor, më 3 qershor 2013. “Apelimi nga ana e Prokurorisë është bërë pasi vlerësohet se ka pasur shkelje të rënda në procedurën e lirimit me kusht të dhënë nga gjykata”, theksuan burimet e Prokurorisë, duke shtuar se i dënuari ka pasur masa disiplinore nga burgu për sjelljen gjatë vuajtjes së dënimit. Sipas të dhënave zyrtare, Hyqmet Pisha është dënuar me 17 vjet burg për vrasje në vitin 2000. Një vit më vonë, më 2001-shin, Apeli i Durrësit e ka shpallur të pafajshëm dhe në vitin 2002 Gjykata e Lartë e ka dënuar me 17 vjet heqje lirie, duke lënë në fuqi vendimin e Faktit Durrës. Sipas Prokurorisë, viktima ka kryer 10 vjet e 8 muaj burg, duke u liruar para kohe me kusht nga Gjykata e Elbasanit.

0 σχόλια:

Post a Comment