Flying Angel Heart

6.16.2013

Spastrohet Gezi, rritet “autoritarizmi” në Turqi

 

 

Stamboll – Policia në Stamboll ka “shkatërruar” gjithçka për të larguar protestuesit nga Parku Gezi. BBC raporton se policia turke, ka përdorur gazin lotësjellës dhe plumbat e gomës si dhe ka demoluar tendat ku ishin vendosur protestuesit.

Kjo lëvizje e policisë, vjen pak orë pasiqë kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar evakuimin e protestuesve nga ky vend.

Raportohet se shumë protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas ndërhyrjes së policisë.

Ndërkohë, Erdogan para mbështetësve të partisë së tij tha: “Nëse sheshi Taksim nuk do të pastrohet, ne dimë se si do ta pastrojmë atë. Qëndrimi i atyre (protestuesve në park) më nuk ka ndonjë kuptim derisa pritet një vendim gjykate për çështjen në fjalë.

BBC: “Autoritarizmi” në rritje

Më 31 maj, një lëvizje e mbrojtësve të ambientit thirri protestën në Parkun Gezi. Protestat u shpërndanë në gjithë Turqinë kundër aksioneve të policisë dhe kundër kryeministrit Erdogan.

Protestuesit këmbëngulën se do të vazhdojnë të qëndrojnë në park, përkundër premtimit të Erdoganit se çështja do të dërgohet në gjykatë.

Por si duket, shumë qytetarë turq më nuk u besojnë gjykatave sa u përket këtyre çështjeve. Kjo pasiqë muajin e kaluar, një gjykatë në Stamboll kishte marrë vendim kundër një plani për prerjen e drunjëve në një park të qytetit, por qeveria turke e kishte apeluar vendimin.

Ndërkaq që nga shpërthimi i protestave në Gezi, kanë vdekur pesë persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Protestuesit akuzojnë kryeministrin se “është bërë shumë autoritar dhe po provon të instalojë një Islam konservativ në vend”, shkruan BBC.

E ndaj aksioneve policore kundër protestuesve, ka pasur shumë reagime shqetësuese, sidomos nga Europa.

CNN: Qeveria turke fillon të përdorë “ton pajtues”

Ndërkohë, CNN duke raportuar për “spastrimin” e Parkut Gezi nga policia turke, citon edhe disa fjalë tjera të kryeministrit Erdogan, që ka thënë para mbështetësve të tij.

“A mund t’ua shtrini duart njerëzve që të bien grusht”, ka pyetur Erdogan. Megjithatë, ai citohet të ketë thënë se “i vjen shumë keq që i duhet t’u tregojë disa njerëzve se Turqia nuk është lodra e tyre”.

Kryeministri turk më tutje ka “vajtuar” me një kronologji të gjithë ngjarjes së Parkut Gezi, duke thënë se nuk e di cilat janë arsyet e protestës kur për projektin në këtë park, nuk është nënshkruar ende asnjë kontratë, shkruan CNN.

“Nuk ka ende asnjë arsye për të protestuar”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se nuk është kontraktuar askush për projektin në Parkun Gezi.

Erdogan: Mediat turke- gënjeshtare, mediat e huaja- hipokrite

Erdogan ka akuzuar mediat kombëtare turke se kanë gënjyer ndërkaq për mediat ndërkombëtare ka pasur një mesazh tjetër:

“Kanë përdorur çdo lloj hipokrizie”, ka thënë kryeministri turk.

Letrat e hapura të protestuesve dhe mbështetësve të tyre

CNN ka pranuar më shumë se 1000 letra të hapura nga protestuesit dhe mbështetësit e tyre në mbarë botën.

“Për pjesën tjetër të botës: kjo është hera e parë në tridhjetë vitet e mia që më rrjedhën lotët për atë që po i ndodhë vendit tim dhe për këtë, ja ku jam, në rrugë. Lajmëroni të gjithë moshatarët e të gjitha racave në botë se të gjitha pikëpamjet politike po vijnë së bashku për të luftuar. Lajmëroni mediat tuaja lokale e ndërkombëtare por edhe ato në rrjetet sociale, bëjeni të pamundur të flisni të vërtetën për atë që po ndodhë këtu. Bëjeni për të mirën e njerëzimit, jo më pak”. Ky ka qenë mesazhi më i lexuar, sipas CNN.

0 σχόλια:

Post a Comment