Flying Angel Heart

6.04.2013

Eksploziv me telekomandë makinës së biznesmenit

 

 

Makina e biznesmenit pas shpërthimit

Një bombë e komanduar në distancë ka hedhur në erë makinën e një biznesmeni në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Tiranë.  Krimi ndodhi rreth orës 02:00 pas mesnate, në një prej parkingjeve të bllokut të pallateve të reja, në afërsi të Kthesës së Kamzës. Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, automjeti tip “Mercedes-Benz”, me targë TR 3093 P, në pronësi të shtetasit Gëzim Jemishta, ka qenë i parkuar poshtë pallatit ku ai banon me familjen. Nga ngjarja nuk ka pasur të plagosur, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Makina e shkatërruar thuajse plotësisht është e biznesmenit Jemishta, i cili ka në pronësi një kompleks të njohur, të përbërë nga hotel, bar, restorant, karburant etj., në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Nga shpërthimi i fuqishëm, veç automjetit janë thyer edhe xhamat e dritareve të disa apartamenteve në pjesën e fasadës së pallatit, ku ishte parkuar makina, mes tyre edhe ato të apartamentit të biznesmenit. Dëme kanë pësuar edhe makinat e tjera që ndodheshin të parkuara pranë asaj të biznesmenit. Burime nga grupi hetimor thanë se aktivizimi i lëndës plasëse të vendosur poshtë motorit të mjetit, dyshohet të jetë kryer në distancë. Kjo e ka bërë edhe më të vështirë identifikimin e autorit, pasi edhe provat e grumbulluara në vendin e ngjarjes kanë qenë të pakta.
HETIMI
I pyetur nga hetuesit rreth dyshimeve që mund të kishte për shpërthimin në automjetin e tij, biznesmeni 54-vjeçar Gëzim Jemishta nuk ka dhënë asnjë pistë konkrete që mund të ndihmonte grupin hetimor. Ai e ka konsideruar ngjarjen si një kanosje të mundshme ndaj tij, por pa arritur të shpjegojë qëllimin e kërcënimit, gjë që sipas Policisë së Tiranës mund të ketë ndodhur edhe për ndonjë problem personal të tij. Nga ana tjetër, oficerët e hetimit të krimeve kanë rihapur disa dosje të vjetra, për ngjarje të ndodhura në kompleksin që ka në pronësi biznesmeni gjatë vitit të kaluar, për të parë mundësinë e ndonjë lidhjeje të mundshme mes ngjarjeve. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë vitit të kaluar bizneset e Jemishtës kanë rënë pre e grabitjeve, gjithashtu ka pasur edhe një rast të shtënash me armë pranë karburantit që 54-vjeçari ka në pronësi, ngjarje ku mbeti i plagosur një kalimtar. Këto raste, sipas Policisë, mbeten ende të padokumentuara dhe pa autor, megjithatë ende nuk dihet nëse shpërthimi në makinën e biznesmenit mund të ketë ndonjë lidhje me ngjarjet që po verifikohen. I dëmtuari është pyetur edhe rreth një padie civile që një person nga Kruja ka bërë në Gjykatën e Tiranës për dy prona në afërsi të Rinasit, të cilat ishin lënë peng nga biznesmeni për shkak të dy huave që i kishte marrë.

“ishin 200 gramë eksploziv”
Ekspertët kriminalistë që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe automjetin e shkatërruar të biznesmenit Gëzim Jemishta, sasia e lëndës eksplozive që ka hedhur në erë makinën mund të ketë qenë rreth 200 gramë tritol. Eksplozivi është aktivizuar në distancë, pasi në vendngjarje nuk janë gjetur mbetje fitili, apo ndonjë element tjetër. Fakti që shpërthimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe kur makina ka qenë e parkuar, sipas Policisë tregon se autorët kanë pasur si qëllim ndonjë paralajmërim ndaj biznesmenit dhe jo eliminimin e tij fizik.

0 σχόλια:

Post a Comment