Flying Angel Heart

6.04.2013

FILL I GJETUN

 

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.
Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.
Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.
Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.

ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET

Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.
U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.

MBAS KRYQËZIMIT TË ZOGJVE

Erret nata e fundit e dashunisë
nisë si për lojë:
ai ec në shputa të larme
shpendësh dimnues në Veri
nëpër banesën shum-dritaresh.
Zogëza mat trollin me kambë të zeza
para se me u nisë për Jug:
zanet e jashtme të botës ushtojnë
dhe rruga asht e ndame dyshë,
gjysma akull e gjysma diell.
DALLËNDYSHA

Krahët e zez i rrah
mes flokëve të borës
mbi alpe dallëndysha
mërguese e vonueme
për Jug.
Lufton me flatra gjethi
të vjeshtës së vonë
kundra rrymave t’erës
kah qafa ma e naltë.
Çdokush ka dy shtigje para
e dallëndysha nji:
me u ba e bardhë.
NJI STINË E HUMBUN
Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.
Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.
MAL I RRËXUEM

Në orën gjashtë t’agimit
i qindronte aty shtërgatës.
Në mjesditë u shkoq pylli,
mollza e faqes, e ra në lumë.
Ra dielli e ndriti dhenë e ri,
rrajë të shkyeme, lisa të përçamë
e sosjen në vetëdijen time.
Banorët e malit përballë pyetën:
vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë
në ballin tand pa lisa?
KALLNORI APO VETMIA

Dhé, brej e bjeshkë randue me borë
e hej akulli.
Bisha n’krahnor e zanun
rri ngusht e fle pa gjurmë përmbas
me kthetra kthye në lëkurë
nën mish.
Gardhi i rrëzuem mbi shteg
e qafa malesh përreth
të mbylluna me dhambë ujqish
në jerm.

FORMULË MËNGJIE

Lejthia lejthia lejthia
njimijë ngjyra në këtë dhé
faqja e kuqe e grues së bardhë
me lythin e zi në mollëz
nuk më do nuk më do
e kaptë dhimba e kresë
le të vijë e të thotë:
ma largo ma largo!
Lejthia lejthia lejthia
andrrat e mia andrrat e mia
i lumi unë për ty
më le shteg me folë:
Peni u kuq në rremb
e liga larg trupit tand
shkëndija shkëndija në gurë
zemra i plastë sy-grizhës
shkëndija shkëndija n’unur.
Natë e vetmia plastë
mbi malin e thatë
mbi andrrën e keqe!
Lejthia lejthia lejthia
e liga ndër leqe!
SOSJA E VETMISË NË VAPËN E DITËS

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.
Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.
Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim.
I SHTRUEMUN FATIT

Kam lanë përmbas zamarën e blerë,
lëvore frashni,
për brrylat e nji karrige bungu.
Në vjeshtë dhuroj fryte, pjekë në verë,
dhe mbaj për vete
skaj buzës nji rrudhë,
ravën e gazit mbi vete e tjerë.
VEND I THYESHËM

- Fiseve poshtë rreth Drinit -
Mes malit Molç e Qerretit
hapet humnera deri në lumë:
si të kish qenë ajo liqe
n’barka druni palnje ishim endë
mbi të, jeremi.
Kishim ditë përmenç
emna peshku t’ambël e jo
shpendësh rrëmbyes e bimësh
t’egra.
Edhe drita e synit e kaltër
do të ishte e jo e zezë.
N’ujë kishim notue
e jo në re.

 

LEXO O NJERI
Lexo o njeri e mos rri kot!
Prej librave kënaqësi fiton.
Ki kujdes, lexo ngadal,
se uji i shpejtë turbull shkon.
Lexo me vullnet të plot!
Libri është thesar njëmend.
Lexo, por jo lexim t’kotë!
Çka t’lexojsh, mbaje në mend.
Lexo e i varfër mos rri!
Me dituri kush pasurohet ,
Ka shumë çmime e fitime,
Për të mirë çdokush i afrohet.
Lexo o njeri!
Në libra zemra freski gjen.
Mos lexo për sy e faqe,
Që të thojnë të tjeret se shumë vlen!
Lexo o njeri!
Pa lexim ditët mos t’ju kalojnë.
Lexo libra, ushqeje shpirtin,
Për të mirë ato këshillojnë.
Lexo me mendje që dhurat t’u dha.
Të tregon rrugën me nder.
Çka s’të duket se nuk është qartë,
Lexoje dy e me shumë herë
Lexo por lexo me mend!
Me kujdes e shpirt gjithëherë.
Nëse nuk kupton në ndojnë gjë
Ndale dhe pyet ndonjë të ditur dhe me vlerë.

0 σχόλια:

Post a Comment