Flying Angel Heart

6.04.2013

Turqi, zgjerohen protestat, Erdogan: S’ka Pranverë Turke

 

Një protestues në Stamboll mes flakëve, me flamurin e Kemal Ataturkut

Protestat e dhunshme në Turqi kanë hyrë në ditën e tyre të katërt, me përleshje të ashpra mes protestuesve dhe policisë që kanë rezultuar me mijëra të arrestuar. Protestat nisën për mbrojtjen e një parku të gjelbër në qendër të Stambollit dhe kanë marrë përmasa të mëdha, që janë cilësuar nga mediat si “pranvera arabe” në Turqi, revolucioni që ka përmbysur pushtete në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme. Por, Kryeministri Erdogan e kundërshton këtë përcaktim. Ai ka cilësuar se protesta janë të nxitura nga partia më e madhe opozitare në vend për shkak të dështimeve të vazhdueshme të tyre në zgjedhje (Erdogan është në pushtet që nga viti 2002). Në një konferencë për shtyp, përpara një udhëtimi të tij për në Marok, ai vlerësoi se protestat janë të organizuara nga ekstremistët dhe opozitarët që po provokojnë qytetarët e tij. Dje u raportua viktima e parë e protestave, një 20-vjeçar, i cili u përplas nga një taksi në një rrugë ndërsa protestonte. Unioni i Mjekëve Turq ka kërkuar që t’i jepet fund dhunës, që policia të tërhiqet dhe të lirohen ata që janë arrestuar gjatë këtyre ditëve. Një tjetër union, ai i tregtisë në sektorit publik, “Kesk”, ka njoftuar se do të nisë një grevë dyditore në mbështetje të protestuesve. Ata akuzuan qeverinë për “terror shtetëror”. Pas disa ditëve në Stamboll, prostatat janë përhapur edhe në kryeqytetin Ankara të hënën. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji drejt rreth 1000 protestuesve në sheshin “Kizilay”. Erdogan tha në një prononcim televiziv se: “Ka njerëz që po marrin pjesë në këto ngjarje të organizuara nga ekstremistët. Këtu nuk bëhet më fjalë për parkun ‘Gezi’. Ngjarjet që po zhvillohen janë të lidhura me degë të veçantë brenda dhe jashtë Turqisë. Partia kryesore opozitare, CHP, ka provokuar qytetarët e mi të pafajshëm. Ata që bëjnë lajme dhe i quajnë këto ngjarje ‘Pranvera Turke’, nuk e njohin Turqinë”. Ndërsa Presidenti turk, Abdullah Gul, ka kërkuar qetësi dhe ka mbrojtur të drejtën e protestuesve për të demonstruar në paqe. Protestuesit thonë se qeveria turke është bërë gjithnjë e më shumë autoritare. Ata tremben se partia e Erdoganit po përpiqet të vendosë në vend vlera konservatore islamike në vendin sekular dhe do të prekë të drejtat e tyre personale. Protestat janë përhapur në 67 qytete e fshatra.

Vdes 20-vjeçari
Një protestues i ri u vra dje në Turqi pasi një taksi u përplas me një grup protestuesish antiqeveritarë në ditën e katërt të protestave. Mehmet Ayvalitas, 20 vjeç, u godit nga taksia në rrugë dhe katër protestues të tjerë janë plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Kjo ishte vdekja e parë e konfirmuar zyrtarisht nga protestat.

Pse protestohet
Protestat për të mbrojtur një hapësirë të gjelbër janë kthyer në protesta zemërimi antiqeveritare. Planet e qendrës së re të Stambollit përfshijnë ndërtimin e një qendre tregtare, për të cilën Kryeministri Erdogan thotë se nuk do të jetë e zakonshme, por do të përfshijë një teatër operistik, qendra kulturore dhe një xhami. Kazermat ushtarake të epokës osmane do të ndërtohen në parkun “Gezi” dhe Qendra Kulturore Historike e Kemal Ataturkut do të prishej. Ataturku është themeluesi i Turqisë moderne, i cili ka vendosur në Kushtetutë parimin e sekularizmit, që kërkon që çështjet shtetërore nuk do të kenë lidhje me ato fetare dhe as do të ndikohen prej tyre. Kryeministri Erdogan vjen nga Partia islamike AK dhe kritikohet ashpër për politikat e tij pro-islamike, si dhe akuzohet për shkeljen e sekularizmit.

 

0 σχόλια:

Post a Comment