Flying Angel Heart

6.05.2013

Florije Peçi lind vajzë, pritet analiza e AND-së për atësinë

 

 

Studentja e mbijetuar nga aksidenti tragjik i Himarës një vit më parë, Florije Peçi, është bërë nënë ditën e djeshme.“Panorama” shkruan sot se vajza që dyshohet se është përdhunuar gjatë mjekimit në Austri, ka sjellë në jetë një foshnje me peshë 3.6 kilogramë paraditen e djeshme. Lindja e fëmijës ka ndodhur në kushte normale në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.

Mjekët nga materniteti thanë dje për gazetën “Panorama” se lindja është kryer me operacion, ndërsa nëna dhe foshnja janë në parametra të mirë shëndetësorë. Prokuroria, e cila ka hapur një hetim për përdhunimin e dyshuar të Florije Peçit, ishte në pritje të lindjes së fëmijës për të realizuar analizat e AND-së me qëllim përcaktimin e atësisë. Mjekët bënë me dije se operacioni për lindjen e fëmijës së Florije Peçit ishte programuar prej disa ditësh.

Sapo ka përfunduar periudhën 36-javore, kohë e domosdoshme për lindjen e foshnjës, shtatzëna është shtruar në maternitet dhe i është nënshtruar. “Foshnja është vajzë. Ka lindur 3.6 kilogramë dhe është në kushte shumë të mira shëndetësore. Po ashtu edhe nëna është në gjendje mjaft të mirë, por po qëndron në reanimacion për shkak se ka bërë lindje me operacion”, thanë mjekët që po kujdesen për Florijen.

Ajo po qëndron në të njëjtën dhomë ku është mbajtur gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga momenti kur konstatoi shtatzëninë dhe u mbajt e shtruar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Nga spitali thonë se mbetet ende i pavendosur fati i foshnjës së sapolindur. “Nuk kemi informacion nëse familja do vendosë që ta rrisë vetë fëmijën, apo do t’i kalojë shtëpisë së foshnjës”, thanë mjekët.

0 σχόλια:

Post a Comment